Kosovë Lajme

Sveçla: Pa kompromis ndaj krimeve të kryera ndaj popullatës tonë

    Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar pas arrestimit të pesë personave të dyshuar për pjesëmarrje në masakrën e Reçakut, si dhe të një personi tjetër të dyshuar për vrasjen e civilëve në Ponesh të Gjilanit.

    Përmes një postimi në Facebook, Sveçla ka thënë se krimet e luftës të kryera nga forcat policore, ushtarake dhe paramilitare serbe po hetohen dhe ndiqen penalisht me intensitet të shtuar.

    “Krimet e luftës të kryera nga forcat policore-ushtarake, si dhe ato paramilitare serbe, po hetohen dhe ndiqen penalisht si asnjëherë më parë, sepse nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë kompromis ndaj krimeve të kryera kundër popullatës sonë”, ka shkruar Sveçla.

    Ai ka përgëzuar Policinë e Kosovës, Prokurorinë dhe Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë për arrestimin e të dyshuarve.

    “Përgëzoj Policinë e Kosovës, Prokurorinë dhe AKI-në për arrestimin e pesë të dyshuarve për pjesëmarrje në masakrën e Reçakut, si dhe të një të dyshuari për vrasjen e civilëve në Ponesh të Gjilanit”, ka theksuar ai.

    Sveçla ka deklaruar se Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë dhe për këtë të gjithë personat që kanë planifikuar, urdhëruar apo kryer krime gjatë luftës në Kosovë duhet të përballen me drejtësinë.

    “Plaga e dhimbjes së familjeve të viktimave dhe e mbarë shoqërisë sonë mbetet e madhe, por drejtësia është detyrim institucional dhe moral që nuk parashkruhet”, ka shkruar ministri në detyrë.

    Ai ka bërë të ditur se institucionet do të vazhdojnë ndjekjen e personave përgjegjës për krime lufte, duke theksuar se Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës në kuadër të Policisë së Kosovës është fuqizuar me dyfishimin e numrit të personelit.

    “Ne do të vazhdojmë pa u ndalur në ndjekjen e kriminelëve të luftës, derisa secili përgjegjës të japë llogari për veprat e kryera”, ka deklaruar Sveçla.

    Sipas tij, vendosja e drejtësisë për viktimat është e domosdoshme për forcimin e së vërtetës historike, ndërtimin e një të ardhmeje të bazuar në dinjitet dhe përgjegjësi, si dhe për parandalimin e përsëritjes së krimeve.