Botë Lajme

SHBA i heq statusin “non grata” Sali Berishës,

    Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë hequr statusin “non grata” për kryetarin e Partisë Demokratike, Sali Berisha. Sipas burimeve nga PD, vendimi i Departamentit Amerikan të Shtetit i është komunikuar Berishës gjatë një bisede telefonike nga e ngarkuara me punë e SHBA-së, Nancy Van Horne.

    Lajmi është konfirmuar edhe nga vetë Berisha, i cili reagoi shkurt para gazetarëve me fjalët: “Unë erdha, u krye”. Megjithatë, deri në këto momente nuk ka pasur një njoftim të detajuar zyrtar nga autoritetet amerikane mbi arsyet e vendimit.

    Kujtojmë se më 19 maj 2021, ish-Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, shpalli Berishën dhe anëtarët e familjes së tij të papërshtatshëm për hyrje në SHBA, duke argumentuar përfshirje në korrupsion madhor. Vendimi shkaktoi debat të gjerë politik në Shqipëri dhe ndikoi ndjeshëm në zhvillimet brenda Partisë Demokratike.

    Nëse konfirmohet zyrtarisht nga Departamenti i Shtetit, heqja e këtij statusi pritet të ketë ndikim të rëndësishëm në skenën politike shqiptare.