Maqedoni

Bekim Qoku vlerëson punën e AVMU-së dhe mbështetjen për anëtarët e zgjedhur

    Deputeti i VLEN-it, Bekim Qoku, ka shprehur kënaqësinë e tij për punën që ka bërë AVMU-ja gjatë fushatës zgjedhore dhe në veprimtarinë e saj të përgjithshme.

    Ai tha se ndihet krenar për përzgjedhjen e anëtarëve të këtij institucioni nga Komisioni parlamentar, duke theksuar rëndësinë e rolit që media ka në hapësirën publike. Sipas Qokut, vota e tre deputetëve të opozitës shqiptare për zgjedhjen e kandidateve ka qenë një vendim i mençur dhe i përgjegjshëm, duke pasur parasysh profesionalizmin, integritetin dhe kredibilitetin e tyre.

    Qoku vlerësoi se rezultatet e punës së tyre kanë dëshmuar se ai vendim ishte i drejtë dhe në interes të institucionit.

    Ai theksoi se gjatë viteve 2025 dhe 2026, AVMU-ja ka treguar profesionalizëm përmes monitorimit të mediave gjatë proceseve zgjedhore, publikimit të raporteve të rregullta për informimin mediatik, rritjes së transparencës mbi pronësinë e mediave dhe forcimit të mbikëqyrjes së standardeve profesionale në hapësirën mediatike. Sipas tij, këto aktivitete kanë kontribuar në një mjedis mediatik më transparent, më të balancuar dhe më të përgjegjshëm.