Maqedoni

Bekim Qoku ngre pikëpyetje për të kaluarën e Ali Ahmetit: Si nuk kaloi asnjë ditë në burg gjatë Jugosllavisë?

    Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje në Maqedoninë e Veriut, Bekim Qoku, ka publikuar një status ku ngre pikëpyetje lidhur me veprimtarinë e hershme politike të Ali Ahmeti gjatë periudhës së Jugosllavisë.

    Qoku thekson se nuk ka prova që e lidhin Ahmetin me UDB-në, pavarësisht akuzave që sipas tij janë artikuluar ndër dekada nga figura të ndryshme politike. Ai shton se edhe pretendimet për përfshirjen e Ahmetit në eliminimin e Jusuf dhe Bardhosh Gërvallës si dhe Kadri Zekës mbeten në nivel spekulimesh.

    Megjithatë, Qoku veçon një çështje që, sipas tij, vazhdon të ngrejë pikëpyetje të mëdha: faktin që Ali Ahmeti, si një nga figurat e njohura të organizimit ilegal shqiptar kundër regjimit jugosllav, nuk ka kaluar asnjë ditë në burg.

    Sipas Qokut, mbetet e paqartë se si një aktivist i angazhuar për vite të tëra në ilegalitet ka arritur t’i shmanget arrestimeve, burgosjeve dhe ndëshkimeve, në një kohë kur regjimi jugosllav burgoste, torturonte dhe vriste shumë veprimtarë shqiptarë.

    Në fund të reagimit të tij, ai shtron pyetjen nëse kjo ka qenë rezultat i një shkathtësie të jashtëzakonshme, apo thjesht fat.