Botë Lajme

Izraeli pushton kështjellën strategjike në Liban, në inkursionin më të thellë atje në 26 vjet

    Trupat izraelite kanë marrë nën kontroll Kalanë Beaufort, një fortesë 900-vjeçare, si dhe kreshtën strategjike përreth saj në jug të Libanit, në një përparim të madh kundër Hezbollahut që i çoi ata përtej lumit Litani, depërtimi më i thellë i Izraelit në Liban në më shumë se 26 vjet.

    Pas disa ditësh luftimesh intensive dhe sulmesh ajrore në fshatrat përreth, ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, ka deklaruar se ushtria kishte marrë fortesën, e njohur gjithashtu si Qalaat al-Shakif, të cilën Forcat Izraelite të Mbrotjes e kishin përdorur si bazë gjatë pushtimit të mëparshëm të Libanit jugor, midis viteve 1982 dhe 2000.

    Fotografitë e publikuara nga Katz dhe pamjet e verifikuara nga agjencia franceze e lajmeve “Agence France-Presse” tregonin flamujt e Izraelit dhe të Brigadës Golani të valëviteshin mbi kalanë Beaufort, ndërsa bombardimet dëgjoheshin në kodrat përreth.

    Në një deklaratë, ushtria ka thënë se kishte “nisur një operacion në kreshtën Beaufort dhe zonën e Wadi al-Saluki në Libanin jugor për të shkatërruar infrastrukturën e Hezbollahut dhe për të zgjeruar kontrollin e saj në këtë rajon”.

    Ushtria izraelite ka shtuar e forcat e saj kishin kaluar lumin Litani dhe kishin marrë pozicione nga të cilat Hezbollahu kishte drejtuar sulme dhe kishte lëshuar raketa drejt Izraelit.

    Negociatat e bllokuara mes SHBA-së dhe Iranit kanë krijuar një vakum diplomatik, gjatë të cilit Izraeli ka intensifikuar operacionet e tij në Liban. Vëzhguesit thonë se zyrtarët dhe komandantët ushtarakë izraelitë kanë kërkuar t’i shkaktojnë sa më shumë dëme Hezbollahut përpara se një marrëveshje e mundshme midis Teheranit dhe Uashingtonit të vendosë kufizime të reja ose t’i japë fund ofensivës aktuale.

    Armëpushimi për t’u dhënë fund luftimeve midis Izraelit dhe Hezbollahut të mbështetur nga Irani ka hyrë zyrtarisht në fuqi më 17 prill, por nuk është respektuar asnjëherë plotësisht.

    Izraeli dhe Hezbollahu e akuzojnë njëri-tjetrin pothuajse çdo ditë për shkelje të armëpushimit dhe i justifikojnë sulmet e tyre me pretendimet për shkeljet e palës tjetër.

    Për shumë libanezë, Nabatieh mbart një rëndësi që shkon përtej vlerës së saj strategjike. I konsideruar prej kohësh si një simbol i rezistencës, qyteti është gjetur vazhdimisht në vijën e parë të fushatave ushtarake izraelite dhe mbetet thellësisht i ngulitur në kujtesën politike dhe historike të Libanit jugor.

    Të shtunën, kryeministri i Libanit, Nawaf Salam, ka akuzuar Izraelin për “ndjekjen e një politike të tokës së djegur dhe ndëshkimit kolektiv” duke “shkatërruar qytete dhe fshatra dhe duke i detyruar banorët e tyre të mërgojnë” në jug të vendit.

    Salam ka paralajmëruar se vendi po përballet me një përshkallëzim “të rrezikshëm” dhe bëri thirrje për “një armëpushim të shpejtë dhe të vërtetë”.