Maqedoni

Qoku: Tubimi madhështor i Vetëvendosjes në Tetovë dëshmoi unitetin dhe vizionin e përbashkët shqiptar

    Deputeti i koalicionit VLEN, Bekim Qoku, ka ndarë pamje dhe mesazhe nga tubimi i madh i Lëvizja Vetëvendosje! të mbajtur në Tetovë, ku e pranishme ishte edhe Albulena Haxhiu, në cilësinë e Kryetares së Kuvendit dhe ushtrueses së detyrës së Presidentes së Kosovës.
    Përmes një postimi në rrjetet sociale, Qoku vlerësoi praninë e zyrtares së lartë kosovare, duke theksuar se pjesëmarrja e saj në Tetovë ishte një dëshmi e lidhjeve të forta mes shqiptarëve dhe e vizionit të përbashkët për të ardhmen.
    “Prania e saj në Tetovë ishte dëshmi e lidhjes së fortë mes shqiptarëve kudo që jetojnë dhe e përkushtimit të përbashkët për zhvillim, drejtësi dhe përparim”, ka shkruar Qoku.
    Sipas tij, shqiptarët në të dy anët e kufirit ndajnë të njëjtat vlera dhe të njëjtin synim për ndërtimin e institucioneve të forta, rritjen e mirëqenies dhe avancimin e proceseve demokratike. Ai theksoi se tubimi në Tetovë rikonfirmoi angazhimin për forcimin e bashkëpunimit dhe koordinimit ndërshqiptar.
    Në fund të mesazhit të tij, Qoku u bëri thirrje qytetarëve që më 7 qershor të mbështesin Kosovën dhe rrugëtimin e saj drejt zhvillimit dhe fuqizimit të mëtejshëm.
    “Më 7 qershor, ta mbështesim Republikën e Kosovës dhe rrugën e saj drejt zhvillimit e fuqizimit të mëtejshëm”, shkroi ai, duke shoqëruar postimin me fotografi nga atmosfera e tubimit të mbajtur në Tetovë.