Kosova do të luajë me guxim dhe do të bëj lojë sulmuese ndaj Republikës së Çekisë në miqësoren që luhet të dielën nga ora 15:00.
Kështu kanë thënë të shtunën në konferencën për shtyp përzgjedhësi Franco Foda dhe sulmuesi Albion Rrahmani.
Foda ishte i qartë në përgjigjet që dha kur u pyet për ndeshjen ndaj përfaqësueses çeke, që e siguroi Botërorin 2026.
Tekniku gjerman e vlerësoi Republikën e Çekisë si përfaqësuese e nivelit të lartë.
“Edhe pse kemi disa lojtarë të lënduar dhe lojtarë që nuk mund të vijnë, ne do të shohim para kah ndeshja. Duam që ta fitojmë ndeshjen edhe pse është ndeshje miqësore. Ne duam të fitojmë dhe të bëjmë ndeshje të mirë sepse këto ndeshje janë përgatitje për Ligën e Kombeve në shtator. Kështu që pres nga ekipi im të luajë me shumë guxim dhe lojë sulmuese”, ka thënë Foda 60-vjeçar.
Grumbullimi i parë i Kosovës pas humbjes dëshpëruese nga Turqia, për Kosovën nisi me mungesa. Të mërkurën, menaxheri i Përfaqësueses, Bajram Shala, njoftoi se portier Amir Shaipi do t’u bashkohet më vonë “Dardanëve” për arsye personale, kurse Bersant Celina është i angazhuar me AIK-un, skuadrën suedeze. Të dy do të jenë të gatshëm për dispozicion për ndeshjen me Andorrën. Nga kampi për shkak të lëndimeve u larguan edhe Lumbardh Dellova dhe Andi Hoti, ndërsa Edon Zhegorva nuk u grumbullua po ashtu për arsye personale. Për shkak të mungesave është ftuar Betim Fazliji, pas një kohe të gjatë.
Në listën e përzgjedhësit Foda ka emra të rinj. Për herë të parë janë ftuar Valmir Matoshi, kampion i Zvicrës me Thunin, Rilind Nivokazi dhe Dardan Shabanhaxhaj.
Pavarësisht mungesave, përzgjedhësi Foda ka theksuar se ka qenë i kënaqur me punën që kanë bërë “Dardanët” prej të mërkurës kur nisi grumbullimi.
“Kemi pasur seanca të mira stërvitore që nga grumbullimi kur kemi nisur të mërkurën dhe kemi pasur disa futbollistë të rinj në këtë kamp. Që nga e mërkura kemi pasur përgatitje të mira, kemi bërë stërvitje intensive dhe kemi bërë stërvitje të mira në aspektet taktike të ndeshjes. E rëndësishme është që ato që i kemi bërë prej të mërkurës, t’i shfaqim në fushë”, theksoi Foda.
Në mungesë të Vedat Muriqit, sulmit të Kosovës pritet t’i prijnë Fisnik Asllani e Albion Rrahmani.
Rrahmani ishte në konferencë për shtyp të shtunën. Ndeshja luhet në stadiumin “epet ARENA”, shtëpinë e Sparta Pragës, ku bën karrierë sulmuesi 25-vjeçar.
Rrahmani, i cili e mbylli sezonin me 16 gola e katër asistime, e ka pranuar se mungesa e Muriqit është e madhe. Por ka thënë se do të mundohet që me të tjerët ta japin maksimumin për paraqitje sa më të mirë.
Ai ka thënë se është përparësi që luan në kampionatin çek dhe se i njeh shumicën e lojtarëve. Tre prej tyre madje janë bashkëlojtar të Rrahmanit te Sparta Praga.
“Patjetër që është më e lehtë për mua kur e di se si i zhvillojnë ndeshjet në ligën e Çekisë dhe po ashtu si luan Kombëtarja e Çekisë. Është një mundësi e mirë për mua sepse i njoh pothuajse të gjithë lojtarët që janë në Kombëtaren e Çekisë. Po shpresoj që do të bëj një paraqitje të mirë sepse jam përshtatur mjaft mirë në stilin e tyre të lojës”, tha Rrahmani.
Ai theksoi se është i lumtur që ndeshja do të luhet në stadiumin që e njeh mjaftë mirë.
“Natyrisht që është ndjenjë e mirë të kthehesh këtu, po ashtu në stadiumin ku luan me ekipin tënd në shtëpi. Patjetër që është motiv shtesë. Shpresoj që të bëj paraqitje të mirë nëse më jepet mundësia nga trajneri, pse jo edhe të shënojë”, shtoi 25-vjeçari.
Kosova pas ndeshjes me Republikën e Çekisë, më 7 qershor në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë nga ora 19:00, luan ndaj Andorrës në miqësoren tjetër.
Në shtator e nis ciklin e ri të Ligës së Kombeve, ku është në grup me Austrinë, Irlandën dhe Izraelin.
Kosova i ka humbur dy mundësi për t’u paraqitur në ngjarje të mëdha. Në kualifikim për “Euro 2020” humbi nga Maqedonia e Veriut, ndërsa në mars të këtij viti u mposht nga Turqia në finale të plejofit për Botërorin 2026. Synimi i madh i Kosovës me Fodën është paraqitja në “Euro 2028”.

