Rajon

Arrestohen pronarët dhe menaxhmenti i kompanisë shqiptare “Saba Belça” nga Presheva

    I gjithë menaxhmenti i kompanisë “Saba Belça” nga Presheva, e cila operon në Bujanoc dhe në disa qytete të Serbisë, është arrestuar mëngjesin e sotëm në kuadër të aksionit të gjerë kundër korrupsionit dhe krimit ekonomik, raportojnë mediat serbe, duke iu referuar burimeve jozyrtare.

    Sipas informacioneve të publikuara, arrestimet janë kryer në koordinim me Prokurorinë e Lartë Publike në Nish, ndërsa bastisje janë zhvilluar në disa lokacione.

    Mediat serbe ka bërë të ditur se iu janë drejtuar Prokurorisë së Lartë Publike në Nish për konfirmim zyrtar lidhur me arrestimet dhe identitetin e personave të ndaluar.

    Ndërkohë, Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë njoftoi se në vazhdim të aksionit kundër korrupsionit dhe krimit ekonomik janë arrestuar gjithsej 26 persona në territorin e Serbisë, pa dhënë detaje për qytetet ku janë kryer arrestimet apo inicialet e të arrestuarve.

    Sipas njoftimit të MPB-së së Serbisë, aksioni është zhvilluar me urdhër të departamenteve speciale për luftimin e korrupsionit pranë prokurorive të larta publike, përfshirë Prokurorinë në Nish, e cila mbulon rajonin e Bujanocit dhe Preshevës.

    “Ekziston dyshimi se me kryerjen e këtyre veprave penale është siguruar përfitim i kundërligjshëm financiar në vlerë prej 196.948.238 dinarësh, ndërsa buxheti i Republikës së Serbisë dhe personat juridikë janë dëmtuar për 203.158.238 dinarë”, thuhet në deklaratën e MPB-së.

    Të dyshuarit pritet të dërgohen në prokuroritë kompetente së bashku me kallëzimet penale.