Kosovë Lajme

Kurti për vdekjen e Rexhep Qosja: Vepra e tij do të jetojë përtej kohës

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur ngushëllimet e tij për ndarjen nga jeta të akademikut të shquar Rexhep Qosja, duke e cilësuar atë si një prej figurave më të rëndësishme të kulturës dhe mendimit shqiptar.

    Në reagimin e tij, Kurti theksoi se vepra e Qosjes do të jetojë shumë më gjatë se jeta e tij, duke nisur tashmë një rrugëtim të ri përmes rileximeve dhe interpretimeve nga brezat e ardhshëm. Ai vlerësoi kontributin e jashtëzakonshëm të Qosjes në gjuhësi, letërsi dhe histori, duke e përshkruar si një personalitet shumëdimensional që la gjurmë të thella në identitetin kulturor shqiptar.

    Sipas Kurtit, Qosja ishte ndër njohësit dhe vlerësuesit më të mëdhenj të rilindasve shqiptarë, ndërsa puna e tij do të mbetet burim frymëzimi për gjeneratat që vijnë.

    Kryeministri theksoi gjithashtu se, pavarësisht sfidave dhe kritikave gjatë jetës, Rexhep Qosja do të kujtohet si një figurë e paepur dhe e përkushtuar ndaj kombit. Ai u nda nga jeta, por la pas një trashëgimi të pasur që do të jetojë përgjithmonë.