Kosovë Lajme

Haxhiu: Kosova ka shumë të rinj e të reja që kanë shumë potencial

    Është jashtëzakonisht e rëndësishme që Kosova ka kaq shumë të rinj e të reja që kanë shumë potencial

    Kështu është deklaruar UD. së presidentës, Albulena Haxhiu pas vizitës që zhvilloi në Shkollën Digjitale dhe OJQ-në “BONEVET”.

    “Kemi pasur informacione për punën e “BONEVET”, por megjithatë sot për së afërmi u njoftuam edhe për programet mësimore që ndërlidhen me teknologji, matematikë, shkencë, art dhe të tjera. Pamë shumë nxënës që, me një energji shumë të madhe, po punojnë edhe në robotikë, fushë e rëndësishme edhe kjo. Ju urova suksese në çfarëdo gare që kanë në të ardhmen”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu.

    Ajo më tej ka shtuar se është jashtëzakonisht e rëndësishme që Kosova ka kaq shumë të rinj e të reja që kanë shumë potencial, e “BONEVET” ua mundëson duke i inkurajuar ata të zhvillojnë sa më shumë kreativitetin, por edhe talentin e tyre.

    “Gjithashtu, i ofrova edhe mbështetjen time, por edhe që të shërbejë si urë lidhëse me institucionet e tjera, duke pasur parasysh që gjatë kësaj periudhe institucionet kanë mbështetur projekte të organizatave që merren me këtë fushë”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu.

    Ajo më tej është zotuar që mbështetja do të vazhdojë dhe që do të ndihmojë aty ku mundet, që puna e tyre të bëhet sa më e lehtë dhe që të jetë sa më e dobishme.