Situata në lidhje me bisedimet e reja SHBA-Iran në Islamabad mbetet shumë kaotike.
Mediat raportojnë se i dërguari special, Steve Witkoff dhe dhëndri dhe këshilltari i presidentit, Jared Kushner, janë parë duke hyrë në Shtëpinë e Bardhë të martën në mesditë me kohën amerikane.
Kjo vjen teksa, mediat po ashtu raportuan se zëvendëspresidenti JD Vance tashmë ka pezulluar udhëtimin e tij të planifikuar drejt Islamabadit për të martën në mëngjes.
Ai, së bashku me Witkoff dhe Kushner, u konfirmuan këtë javë nga Shtëpia e Bardhë si ekipi që po shkonte në Pakistan për rundin e dytë të bisedimeve, pas atij të 11 prillit, i cili ndonëse zgjati për 21 orë, rezultoi i dështuar.
Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, është parë gjithashtu duke hyrë në ndërtesë, e po ashtu dhe sekretari i Shtetit, Marco Rubio.
Si Shtëpia e Bardhë ashtu edhe zyra e zëvendëspresidentit kanë qëndruar të heshtur të martën, duke mos dhënë detaje se çfarë po ndodhte me fatin e bisedimeve, ndërkohë që zyrtarët iranianë deklaronin se nuk kishin vendosur ende të merrnin pjesë, duke përmendur “veprimet e papranueshme” nga SHBA-ja që dukej se aludohej në bllokadën e porteve iraniane në Ngushticën e Hormuzit.

