Kosovë Lajme

Kosova rrezikon seriozisht të humbë 68.8 milionë euro të BE-së në qershor

    Kosova pritet të humbë përgjithmonë shumën prej 68,8 milionë euro nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor nëse deri në fund të qershorit të këtij viti nuk i përmbush hapat në reforma të cilat kanë pasur afat deri në mesin e vitit 2025 me një periudhë gri deri më 30 qershor të këtij viti. KOHA mëson nga burimet në Bruksel se edhe vendet tjera do të humbasin shuma të konsiderueshme nëse deri në këtë afat nuk i përmbushin obligimet të cilat ishin caktuar me Agjendën e reformave që është kusht për shfrytëzimin e këtyre mjeteve.

    Një burim i BE-së tha se Komisionerja për zgjerim Marta Kos u ka dërguar në fund të javës së shkuar një letër të gjitha gjashtë vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor të cilat janë përfituese të mjeteve nga Plani i Rritjes, ku ajo ua tërheq vërejtjen se do të humbin këto mjete nëse deri në afatin e caktuar nuk i përmbushin kushtet.

    “Komisionerja u ka tërhequr vërejtjen partnerëve për nevojën që të përshpejtojnë reformat në mënyrë që të përfitojnë nga fondet e parapara nga ky Plan. Rikujtojmë se afati gri për hapat të cilat është dashur të përmbushen në mesin e vitit 2025 skadon më 30 qershor të këtij viti. Ndërsa për hapat të cilat është dashur të përmbushen deri në fund të vitit 2024 përfundon nga fundi i vitit 2026. Nëse afatet nuk respektohen, partnerët rrezikojnë që të humbin mbi 700 milionë euro së bashku”, ka thënë një burim i Komisionit Evropian.

    Kosova sapo kishte nisur javën e shkuar të marrë pagesat e para nga parafinancimi nga Plani i rritjes për Ballkanin Perëndimor. Këto mjetet e para Kosovës nisën t’i paguhen pas shumë vonesave të shkaktuara nga ngërçi politik në vitin 2025, kur nuk kishte mundësi për ratifikim të marrëveshjeve për kredi dhe mjete mes Kosovës dhe BE-së.

    Sipas një përllogaritjeje, Kosova në qershor do të humbë 68,8 milionë euro. Më së shumti mjete do të humbë Bosnja e Hercegovina, e cila nuk ka përfituar akoma asnjë cent nga ky plan. Ajo do t’i humbë edhe 373,9 milionë euro.

    Këto mjete të përmendura do të humben në qershor, ndërsa deri në fund të vitit humbjet do të mund të jenë edhe më të mëdha nëse nuk përmbushen detyrimet. Sipas një tabele për monitorimin e përmbushjes së kushteve nga Plani i rritjes, Kosova nuk e ka përmbushur asnjë nga 11 hapa të paraparë. Pra 0 nga 11 hapa. Prandaj rreziku që Kosova të humbë mjete të mëdha është i madh nëse nuk veprohet shpejt.