Sport Uncategorized

Bora eliminon Sigal Prishtinën, avancon në gjysmëfinale

    Para afro një viti, Bora e Prishtinës e siguroi qëndrimin në elitën e basketbollit kosovar edhe për një edicion tjetër. Bora kishte fituar në dy ndeshjet e plejautit ndaj KEK-ut.

    Një vit më pas historia është krejtësisht ndryshe.

    Të enjten mbrëma në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë, Bora e eliminoi Sigal Prishtinën pas fitores 101:60 dhe avancoi në gjysmëfinale të plejofit të elitës së basketbollit kosovar.

    Bora e fitoi serinë çerekfinale 2:0. Thellë fitoi edhe në ndeshjen e parë në palestrën “1 Tetori”, 105:67.

    Që në pjesën e parë, Bora bëri shkpëutje të madhe në rezultat, 51:23.

    Deri në fund vetëm e ruajti epërsinë dhe iu gëzua fitores me 41 pikë dallim.

    Carlton Bragg Jr i kishte statistikat më të mira në fitore me 12 pikë e pesë kërcime. Jordan Dingle ndërkohë kontribuoi në fitore me 24 pikë, dy kërcime e dy asistime.

    Te Sigal Prishtina vetëm Arbër Sinani dhe Jon Ismajli patën pikë dyshifrore. Sinani e mbylli takimin me 17 pikë, tri kërcime e po aq asistime, kurse Ismajli i shënoi 13 pikë, tri kërcime e një asistim.

    Në gjysmëfinale, Bora tani do të përballet me Bashkimin.

    Bashkimi ishte i dyti në stinorin e rregullt me 48 pikë dhe do ta ketë përparësinë e terrenit vendës.

    Bora kishte përfunduar në pozitën e tretë me 42 pikë, ndërsa Sigal Prishtina vetëm në xhiron e fundit e kishte siguruar plejofin nga pozita e gjashtë me 38 pikë.