Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se janë në komunikim me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku dhe se kur të kenë rezultate, do t’i bëjnë publike.
Këto komente Kurti i bëri shkurt për media pas pjesëmarrjes në Tryezën e Dialogut Ndërfetar “Bashkëjetesa ndërfetare ndër ne, virtyt hyjnor apo domosdoshmëri shoqërore?” E cila po mbahet në Prishtinë.
“Jemi në komunikim, kur të kemi rezultate do t’ua komunikojmë”, është deklaruar shkurt Kurti.
Pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, subjektet politike nuk kanë arritur të gjejnë konsensus për presidentin.
E, në seancën për zgjedhjen e kreut të shtetit, e cila u bojkotua nga opozita, fillimisht Konjufca u propozua nga Vetëvendosje, e më pas edhe Fatmire Kollçaku-Mulhaxha. Seanca nuk u zhvillua, meqë në momentin kur duhej të zhvillohej votimi në sallë nuk ishin së paku 80 deputetë, sa kërkohen në raundin e parë e të dytë të zgjedhjes.
Konjufca u shpreh të mërkurën se është i gatshëm të tërhiqet nga gara për president nëse opozita arrin të propozojë një kandidat unifikues.
Sipas tij, përgjegjësia për të sjellë një emër konsensual i takon opozitës, e jo Vetëvendosjes.
Gjykata Kushtetuese ka caktuar 28 prillin si afat të fundit për zgjedhjen e presidentit të ri nga Kuvendi i Kosovës.

