Botë Lajme

Trump i paqartë për luftën në Iran: “Afër fundit”, por paralajmëron sulme të reja

    Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka dhënë deklarata kontradiktore lidhur me luftën me Iranin dhe përfundimin e saj.

    Në një intervistë për Fox News, Trump tha se lufta është “shumë pranë përfundimit”, duke iu referuar armëpushimit dyjavor që aktualisht është në fuqi.

    Megjithatë, në të njëjtën intervistë ai la të hapur mundësinë për sulme të tjera, duke deklaruar se “nuk kemi përfunduar ende” dhe se situata mbetet e pasigurt.

    Ndërkohë, ka paqartësi edhe për vazhdimin e armëpushimit.

    Sipas Associated Press, ndërmjetësit janë drejt një marrëveshjeje për zgjatjen e tij, por Shtëpia e Bardhë ka theksuar se SHBA-ja nuk ka rënë ende dakord zyrtarisht për një zgjatje.

    Një zyrtar i lartë amerikan deklaroi se negociatat me Iranin vazhdojnë, ndërsa nuk ka konfirmim për vendime konkrete.

    Shtëpia e Bardhë pritet të mbajë një konferencë për media më vonë gjatë ditës, ku përveç çështjeve ekonomike, pritet të ketë edhe pyetje lidhur me situatën në Iran.