Maqedoni

Bekim Qoku: VLEN po korrigjon padrejtësitë 24-vjeçare, pa asnjë rast të ri tragjik apo cenim të të drejtave

    Koordinatori i VLEN-it, Bekim Qoku, ka reaguar për zhvillimet politike në vend, duke theksuar se qeverisja aktuale ka arritur të ndryshojë qasjen ndaj çështjeve të shqiptarëve në një periudhë më pak se dyvjeçare.

    Sipas tij, për herë të parë pas shumë vitesh, nuk është shënuar asnjë rast i natyrës së tragjedive, arrestimeve apo linçimeve që kanë karakterizuar periudhat e mëparshme, duke përmendur ngjarje si 27 Prilli, rasti i Kumanovës, Monstra, Sopoti, Alfa dhe raste të tjera.

    Ai vlerëson se gjatë kësaj kohe nuk ka pasur as afera korruptive dhe as cenim të të drejtave të shqiptarëve, duke i cilësuar pretendimet e opozitës si manipulime pa bazë faktike.

    Në reagimin e tij, Qoku thekson se shumë nga çështjet që sot po diskutohen janë probleme të trashëguara nga qeverisjet e mëparshme, të cilat sipas tij kanë qenë të shoqëruara me korrupsion dhe mungesë përgjegjësie institucionale.

    Një ndër shembujt e përmendur është edhe mungesa e zhvillimit të provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe për më shumë se dy dekada, çështje që ai thotë se do të korrigjohet nga qeverisja aktuale.

    Ai gjithashtu hedh poshtë pretendimet për ndryshime në përdorimin e gjuhëve zyrtare, duke theksuar se as ligji dhe as dispozitat kushtetuese nuk janë prekur dhe nuk ka iniciativa të tilla nga kjo qeveri.

    Sipas Qokut, debatet e fundit për këto tema lidhen me zhvillime në Gjykatën Kushtetuese, përbërja e së cilës, sipas tij, është ndikuar nga struktura politike të së kaluarës.

    Në fund, ai thekson se çdo përpjekje për cenimin e të drejtave të shqiptarëve do të marrë përgjigje të vendosur dhe në përputhje me ligjin, duke shtuar se qytetarët nuk do të jenë më objekt i manipulimeve politike.