Botë Lajme

Trump: SHBA-ja do ta bllokojë menjëherë Ngushticën e Hormuzit

    Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se SHBA-ja do të fillojnë bllokimin e çdo anijeje që përpiqet të hyjë osë të dalë nga Ngushtica e Hormuzit.

    Në një postim të gjatë të ri në Truth Social pas dështimit të bisedimeve në Islamabad, ai ka thënë se “takimi shkoi mirë, shumica e pikave u ranë dakord, por e vetmja pikë që kishte vërtet rëndësi, ajo për çështjen bërthamore nuk u arrit”.

    Sipas tij, Irani nuk dëshiron të heqë nga ambiciet e tij për armë bërthamore, teksa ka shtuar se SHBA-ja nuk do të lejojë kurrë që ai të ketë armë të tilla.

    Trumpi ka shtuar se “në një moment” do të arrihet një marrëveshje për kalimin e lirë, por se “Irani nuk e ka lejuar këtë të ndodhë”.

    Në të njëjtin postim, Trumpi ka thënë gjithashtu se ai “i ka dhënë udhëzime Marinës të kërkojë dhe të ndalojë çdo anije në ujërat ndërkombëtare që i kanë paguar një taksë Iranit”, dhe se Marina Amerikane do të fillojë “të shkatërrojë minat që iranianët kanë vendosur në ngushticë”.

    “Askush që paguan një taksë të paligjshme nuk do të ketë kalim të sigurt në det të hapur”, ka thënë ai, duke paralajmëruar se “çdo iranian që qëllon drejt nesh, ose ndaj anijeve paqësore, do të shkatërrohet deri në ferr”.

    “Bllokada do të fillojë së shpejti”, ka deklaruar Trumpi.

    Reagimi i tij vjen disa orë pasi bisedimet ballë për ballë SHBA-Iran në Pakistan, përfunduan pa ndonjë marrëveshje, edhe pas 21 orësh negociata.