Kosovë Lajme

Thaçi pyetet për shkëmbimin e territoreve: Qëllimi ishte paqja e qëndrueshme

    Ish-presidenti Hashim Thaçi i pyetur për të shpjeguar propozimin për shkëmbim territoresh me Serbinë si zgjidhje finale, ka thënë se qëllimi i tij ka qenë sigurimi i paqes së qëndrueshme.

    Në intervistë për gazetën prestigjioze gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” nga Gjykata Speciale, Thaçi është pyetur nëse kjo ide është diskutuar me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, apo se a ka qenë propozim që Kosova të japë diçka për të marrë Luginën e Preshevës apo edhe për të dhënë territor në këmbim të njohjes.

    “Qëllimi im kryesor ishte sigurimi i një paqeje të qëndrueshme mes Kosovës dhe Serbisë, që do t’u mundësonte të dyja vendeve të ecin përpara dhe Kosovës integrim të plotë ndërkombëtar. Do të ishte e pafalshme të lihen probleme të pazgjidhura për brezat e ardhshëm”, ka thënë ai.

    Thaçi ka deklaruar se zotimi i tij ka qenë që të ndiqet rrugë diplokmatike për të arritur rezultate brenda kornizës kushtetuese.

    Tek ka thënë se Bashkimi Evropian ka luajtur rol të rëndësishëm në dialogun me Serbinë, Thaçi ka shtuar se “përparimi është më i madh kur përfshihen edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

    Ai ka thënë se pesë vjetët e fundit kanë qenë të humbura për Kosovën në raport me partnerët ndërkombëtarë. I ka cilësuar shqetësuese sanksionet e BE-së ndaj Kosovës duke shtuar se ruajtja e raporteve me aleatët strategjikë është interes kombëtar.