Shkup – Kryetari i Komunës së Çairit dhe një nga dy kryetarët e VLEN, Izet Mexhiti, ka reaguar pas publikimit të një sondazhi të fundit, duke vlerësuar se rezultatet pasqyrojnë mbështetjen qytetare për modelin qeverisës të këtij subjekti politik.
Sipas Mexhitit, përkrahja e qytetarëve lidhet drejtpërdrejt me, siç thekson ai, qeverisjen me duar të pastra, luftën kundër korrupsionit dhe realizimin e investimeve kapitale në nivel qendror dhe lokal.
Ai nënvizon se rezultatet konkrete në disa fusha kanë ndikuar në rritjen e besimit publik, duke përmendur rritjen e pensioneve, investimet në infrastrukturë, si dhe mbështetjen për sektorin e shëndetësisë, përfshirë mjekët, gjinekologët dhe stomatologët.
Në reagimin e tij, Mexhiti e cilëson sondazhin si kundërpërgjigje ndaj asaj që e quan fushatë të opozitës shqiptare, e cila sipas tij përpiqet të krijojë pasiguri dhe paqartësi përmes lajmeve të rreme.
Ai shton se mbështetja qytetare është tregues se politikat e VLEN janë të pranueshme dhe se drejtimi i ndjekur është i duhuri.
Në fund, Mexhiti thekson se mesazhi i qytetarëve është i qartë: kërkohet bashkim dhe konsolidim i VLEN në një subjekt të vetëm politik, me strukturë të unifikuar dhe zë të përbashkët politik.
Ai falënderon qytetarët për përkrahjen, duke e përmbyllur reagimin me thirrjen për bashkim të mëtejshëm të VLEN.

