Maqedoni Uncategorized

Mexhiti: Studentët shqiptarë e japin provimin e jurisprudencës në maqedonisht, me VLEN-in për herë të parë do ta japin në shqip

    Bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti, ka deklaruar se marrëveshja për mbajtjen e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe përbën një të arritur historike, duke theksuar se kjo është realizuar gjatë pjesëmarrjes së VLEN-it në Qeveri.

    Duke folur në emisionin “Verdikt” në TVM 2, Mexhiti u shpreh se studentët shqiptarë, para se VLEN-i të bëhej pjesë e Qeverisë, provimin e jurisprudencës e kanë dhënë në gjuhën maqedonase.

    “Ne nuk iu kundërvumë studentëve dhe nuk thamë se kjo e drejtë nuk ka qenë e mundur të realizohet në të kaluarën. Por, në këtë Qeveri, me këta numra, arritëm marrëveshjen që për herë të parë në historinë e këtij shteti të sillet ligj për provimin e jurisprudencës, ashtu siç kërkuan studentët, që provimet t’i kenë në gjuhën shqipe”, tha Mexhiti.

    Ai përmendi shtatë provimet që, sipas tij, do të mund të zhvillohen në shqip, përfshirë të drejtën penale, civile, të punës, kushtetuese dhe administrative.

    Mexhiti sqaroi se pjesa praktike ende nuk mund të rregullohet në gjuhën shqipe, duke ia atribuar këtë çështje tri fushave që kanë mbetur të hapura pas shqyrtimit të Ligjit për përdorimin e gjuhëve nga Komisioni i Venecias: gjyqësorit, uniformave dhe monedhave.

    Duke komentuar reagimet e BDI-së dhe të kryetarit të Kumanovës, Maksim Dimitrievski, lidhur me këtë çështje, Mexhiti u bëri thirrje qytetarëve të analizojnë faktin që, sipas tij, të dy palët po flasin me të njëjtin qëndrim.

    “Qytetarët duhet ta analizojnë pse të dyja flasin me një zë”, deklaroi Mexhiti.