Kosovë Lajme

Hamza: Integrimi në BE dhe NATO, synime strategjike të Kosovës

    Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, sot ka pritur një delegacion nga Bashkimi Evropian, i kryesuar nga Emanuele Giaufret, zëvendësdrejtor menaxhues i EEAS-it për Evropën Perëndimore.

    Gjatë takimit u diskutua për zhvillimet aktuale politike dhe ekonomike në vend, si dhe për rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

    Hamza mirëpriti vëmendjen e rikthyer të BE-së ndaj Kosovës dhe rajonit, si dhe vendimin për heqjen e masave, duke e vlerësuar këtë si një hap pozitiv për forcimin e partneritetit dhe perspektivës evropiane të vendit.

    Ai theksoi se një Kosovë stabile dhe një rajon stabil janë në interes të përbashkët të të gjithë popujve të Ballkanit Perëndimor dhe të vetë Bashkimit Evropian.

    Hamza rikonfirmoi përkushtimin e PDK-së për bashkëpunim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë dhe theksoi rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme të BE-së për Kosovën, veçanërisht në përballimin e sfidave ekonomike dhe avancimin e reformave.

    Në takim u ritheksua se aspirata strategjike e Kosovës mbetet integrimi në Bashkimin Evropian dhe anëtarësimi në NATO, si një orientim i qartë drejt zhvillimit, stabilitetit dhe integrimit të plotë euroatlantik.