Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka përkujtuar 24 marsin e vitit 1999, ditën kur filluan bombardimet e NATO-s mbi objektivat serbe, duke ndryshuar kështu rrjedhën e historisë së Kosovës.
Haxhiu ka shtuar se si përgjigje ndaj ciklit të dhunës që mori trajtë gjenocidi dhe politikave të regjimit të Millosheviqit ndaj shqiptarëve të Kosovës, 19 vende të NATO-s, të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nisën fushatën ajrore kundër caqeve policore dhe ushtarake serbe, që zgjati 78 ditë.
Ajo ka theksuar se gjatë kësaj periudhe, ndërhyrja e NATO-s nga ajri dhe qëndresa e UÇK-së në terren u ndërthurën në një çast përcaktues për Kosovën.
“Nderojmë, me mirënjohje, rolin vendimtar të NATO-s, sakrificën e UÇK-së dhe të gjithë atyre që kontribuan për lirinë e Kosovës. Jemi përherë falënderues për mbështetjen e miqve dhe aleatëve tanë ndërkombëtarë që nuk na lanë vetëm në momentet më të vështira”, ka deklaruar Haxhiu.

