Kosovë Lajme

Osmani: Epopeja e Dukagjinit – kujtesë dhe testament i sakrificës

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka kujtuar 28-vjetorin e Epopesë së Dukagjinit, duke e cilësuar si një nga kapitujt më të lavdishëm të luftës për liri.

    Nëpërmjet një deklarimi zyrtar të publikuar nga Presidenca, Osmani shkruan:

    Sot, me nderim dhe përulje, kujtojmë 28-vjetorin e Epopesë së Dukagjinit, një nga kapitujt më të lavdishëm të luftës sonë për liri.

    Më 24 mars 1998, në Gllogjan, Ushtria Çlirimtare e Kosovës zhvilloi betejën frontale në këtë zonë, duke u përballur me guxim me forcat e regjimit gjenocidal të Serbisë, të cilat kishin rrethuar fshatin dhe në mënyrë të veçantë familjen Haradinaj, e cila u bë simbol i qëndresës dhe sakrificës për liri.

    Në atë ditë të lavdishme, ranë për liri dëshmorët Him Haradinaj, Gazmend dhe Agron Mehmetaj, duke u bërë përjetësisht pjesë e historisë sonë kombëtare.

    Epopeja e Dukagjinit është kujtesë dhe testament i sakrificës, guximit dhe vendosmërisë për liri. Ajo mbetet frymëzim i përhershëm për brezat që ta ruajmë dhe forcojmë shtetin, të ndërtuar mbi gjakun e dëshmorëve.

    Lavdi e përjetshme të gjithë të rënëve për liri!