Rajon

Kamberi: Stërvitjet e ushtrisë serbe e cenojnë ndjenjën e sigurisë te shqiptarët në Luginë

    Deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka vlerësuar se zhvillimi i stërvitjeve ushtarake nga Serbia në territorin e Komunës së Bujanocit, në afërsi të kufirit me Kosovën, paraqet një çështje me rëndësi për mjedisin e sigurisë në rajon.

    Në një postim në Facebook ka shkruar se aktivitetet e tilla, veçanërisht kur zhvillohen pranë zonave të banuara dhe përfshijnë kapacitete ajrore, ndikojnë në perceptimet e sigurisë së komuniteteve lokale, në veçanti të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

    Sipas tij, në kontekstin e sigurisë rajonale, këto zhvillime mund të interpretohen si faktorë që ndikojnë në rritjen e tensioneve dhe në uljen e besimit ndërmjet aktorëve lokalë.

    “Duke marrë parasysh rëndësinë e stabilitetit afatgjatë në Ballkanin Perëndimor, mbetet thelbësore që të veprohet me përmbajtje dhe në përputhje me parimet e sigurisë bashkëpunuese. Në këtë drejtim, roli i bashkësisë ndërkombëtare është kyç për të inkurajuar dialogun konstruktiv, transparencën dhe shmangien e veprimeve që mund të perceptohen si provokuese”, ka shkruar ai.

    Ai ka thënë se ruajtja e një mjedisi të qëndrueshëm dhe të parashikueshëm të sigurisë kërkon angazhim të vazhdueshëm për respektim të normave ndërkombëtare dhe forcim të mekanizmave për parandalimin e krizave. E sipas tij, shtuarja e forcave të KFOR-it është e rëndësisë primare.

    “Duke pasur parasysh provokimet e vazhdueshme të regjimit të Vuçiqit ndaj Kosovës dhe shqiptarëve në Luginë, NATO duhet të mendojë për rishikimin e vendimit për Zonën Tokësorë të Sigurisë”, ka thënë ai.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka quajtur tepër shqetësuese stërvitjet e ushtrisë serbe afër kufirit me Kosovën. Ai ka thënë se Serbia po përdor ushtrinë si mjet shantazhi për të mbajtur rajonin e Ballkanit në tension të vazhdueshëm, teksa i ka bërë thirrje faktorit ndërkombëtar që të ndëshkojë këtë qasje destabilizuese të Serbisë.

    Ai ka thënë se një shfaqje e tillë e ushtrisë serbe paraqet jo vetëm trysni dhe nxitje tensioni por edhe përpjekje për t’i frikësuar banorët shqiptarë “që ka vite që përballet me spastrim etnik administrativ nga regjimi autokrat në Serbi”.