Edhe 24 milionë euro do të ndahen për të ndërtuar spitalin e Ferizajt, që si projekt u nis qysh më 2018. Pas kontratave, ankesave e edhe dërgimit të lëndëve në Prokurori, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka njoftuar se e ka nënshkruar kontratën për vazhdimin e punimeve.
Sipas njoftimit të tij, projekti do të finalizohet për 30 muaj e do të ketë kosto rreth 24 milionë eurosh.
“Kam nënshkruar kontratën për vazhdimin e punimeve në Spitalin e Ferizajt. Pas shumë sfidave dhe vështirësive të trashëguara e të reja, ky projekt do të finalizohet brenda 30 muajsh. Ky është një projekt shumë i rëndësishëm për këtë rajon, që do të realizohet sipas standardeve më të larta të infrastrukturës spitalore, me një kosto prej 24 milionë euro. Urime për të gjithë qytetarët e Ferizajt për këtë projekt të shumëpritur”, ka shkruar Vitia.
Megjithatë, këto nuk janë milionat e parë të ndarë për këtë projekt.
KOHA pati raportuar më 2021 se Ministria e Shëndetësisë pretendonte se kompania që kishte kontratë për ndërtimin e objektit kishte bërë abuzime milionëshe. Nga 2018-ta ishin kryer vetëm punët e vrazhda. Më pas kompania kishte kërkuar rishqyrtim të projektit e edhe miliona shtesë, por kjo s’ishte miratuar nga MSH-ja. Ministria pati bërë kallëzim penal ndaj kompanisë me pretendimin se ka kryer “mashtrim në prokurimin publik”. Sipas pretendimit, kompania e kishte fituar kontratën duke vendosur çmime fillestare shumë më të larta se ato realet në treg dhe punët finale nën çmimin e tregut. Kompania, sipas MSH-së, i ka marrë paratë nga pozicionet me çmime të fryra, ndërsa kur është dashur t’i kryente ato që janë nën çmim të tregut ka kërkuar rishikim të projektit e 5 milionë euro shtesë.
Ndërkaq në fund të janarit sivjet, ministri Vitia u intervistua nga Prokuroria Speciale për padinë që operatori ekonomik ia kishte bërë Ministrisë. Këshilltari politik i Vitisë, Durim Elshani, pati thënë se Prokuroria u vu në lëvizje menjëherë pasi kontraktori e paditi MSH-në, ndërsa kujtoi se ka vite që Ministria e ka paditur kontraktorin.
Sipas dokumenteve të siguruara atë kohë, vlera totale e projektit fillestar ishte 10.2 milionë euro dhe se asaj i ishin shtuar edhe 1 milion euro tjera për punë shtesë. Kompania kërkonte edhe 5 milionë për ta përfunduar projektin.
E në mars të 2024-s, Ministria e Shëndetësisë pati kontraktuar një kompani për riprojektimin e spitalit. Ishte thënë se punimet do të vazhdonin pas përfundimit të riprojektimit. Riprojektimi kushtoi 67 mijë euro.
Në njoftimin për dhënie të kontratës së re titulli i saj është për “ndërtimin e objektit të spitalit të përgjithshëm në Ferizaj – vazhdim projekti”. Projekti është fituar nga një grup i operatorëve ekonomikë. Në kontratë është bërë e ditur se lënda është trajtuar edhe në Organin Shqyrtues të Prokurimit./Koha.net

