Vjosa Osmani, në cilësinë e saj si Presidente e Republikës së Kosovës, ka kompetencë kushtetuese që me dekret presidencial t’u japë shtetësinë e Kosovës shtetasve të huaj, kur kjo vlerësohet se është në interes të veçantë për shtetin – ekonomik, kulturor, sportiv apo profesional.
Mediumi ynë ka mësuar se në kuadër të listës së personave që pritet të përfitojnë shtetësinë e Kosovës me dekret presidencial është edhe biznesmeni shqiptar Klodian Allajbeu, themelues dhe drejtues i rrjetit të Spitalit Amerikan në Shqipëri dhe Kosovë. 
Sipas burimeve të mediumit tonë, emri i Allajbeut figuron në listën e përgatitur për dhënien e shtetësisë, por nuk dihet ende nëse vendimi është marrë përfundimisht dhe kur pritet të bëhet publik dekreti i presidentes dhe lista e plotë e përfituesve.
Ndërkohë, emri i biznesmenit Allajbeu është përmendur edhe në disa procese hetimore në rajon. Në Shqipëri, ai është përfshirë në hetime nga SPAK (Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar) lidhur me koncesione në sektorin e shëndetësisë, ndërsa hetuesit kanë kryer edhe kontrolle në kompani të lidhura me të në kuadër të këtyre hetimeve. 
Po ashtu, sipas raportimeve mediale, Allajbeu është përmendur edhe në hetime të autoriteteve në Kosovë për dyshime që lidhen me pastrim parash dhe falsifikim dokumentesh në transaksione financiare, akuza që janë pjesë e procedurave hetimore dhe për të cilat proceset ligjore vazhdojnë. 
Nga Presidenca e Kosovës deri më tani nuk ka një konfirmim zyrtar për emrat e personave që do të përfitojnë shtetësinë me dekret presidencial, ndërsa mbetet të shihet nëse lista do të publikohet në ditët në vijim./press7.tv

