Botë Lajme

Komisioni Evropian propozon zgjerimin e roamingut falas të BE-së në Ballkanin Perëndimor

    Komisioni Evropian njoftoi të mërkurën se do të kërkojë nga Këshilli Evropian autorizim për të hapur negociatat me gjashtë shtete të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Kosovën, për t’i bashkuar ato me zonën e roamingut të Bashkimit Evropian.

    Në praktikë, kjo do të lejojë udhëtarët të përdorin internetin, të bëjnë thirrje dhe të dërgojnë mesazhe pa shpenzime shtesë.

    Zona roaming e Bashkimit Evropian mundëson që qytetarët e saj të përdorin shërbimet e telefonisë mobile jashtë vendit brenda BE-së pa kosto shtesë. Më 1 janar, kësaj i janë bashkuar edhe Ukraina dhe Moldavia.

    Nëse marrëveshja arrihet, “njerëzit që udhëtojnë mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor do të mund të bëjnë thirrje, të dërgojnë mesazhe ose të përdorin internetin pa shpenzime për roaming”, thuhet në njoftimin e Komisionit.

    Megjithatë, kjo do të kërkojë kohë, pasi shtetet e Ballkanit Perëndimor duhet të përshtatin rregullat e roamingut sipas standardeve të BE-së dhe të nënshkruajnë marrëveshje bilaterale me secilin shtet anëtar.

    Disa operatorë mobilë në BE dhe në Ballkanin Perëndimor tashmë kanë ulur tarifat për roaming, por këto janë ende vullnetare dhe jo të detyrueshme.

    Tani, Këshilli Evropian duhet të miratojë mandatin e Komisionit përpara se të fillojnë negociatat bilaterale.

    Shtetet që mund të përfitojnë nga zgjerimi i zonës së roamingut janë: Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Bosnjë-Hercegovina dhe Serbia.