Maqedoni

Bekim Qoku: Korridori 8 po shndërrohet në bosht strategjik ekonomik dhe sigurie për rajonin

    Koordinatori i Grupit Parlamentar të VLEN, Bekim Qoku, ka vlerësuar se Korridori 8, veçanërisht krahu i tij perëndimor që shtrihet në territorin e Maqedonisë së Veriut, përfaqëson një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore në rajon, si në aspektin e zhvillimit ekonomik ashtu edhe të sigurisë.

    Qoku theksoi se ai ishte në terren për të shqyrtuar nga afër punimet e Korridorit 8 së bashku me Kryeministrin Hristijan Mickoski, ministrin e Transportit Aleksandar Nikoloski dhe zëvendësministren Kaltrina Zekolli.

    Sipas tij, ndërtimi i këtij korridori po zhvillohet me një dinamikë të paparë, duke reflektuar angazhimin maksimal institucional për realizimin e një projekti për të cilin janë bërë përpjekje dhe zotime gjatë tri dekadave të demokracisë.

    Qoku vlerëson se Korridori 8 po cilësohet gjithnjë e më shumë edhe si Korridori i NATO-s, një epitet që dëshmon rëndësinë e tij strategjike për stabilitetin e rajonit dhe për sigurinë e Evropës në tërësi.

    Ai shton se është një moment i rëndësishëm dhe historik që ky projekt po realizohet pikërisht në këtë periudhë, me kontribut edhe të VLEN-it si pjesë e qeverisë aktuale, e cila ka marrë përsipër që pothuajse ta përfundojë Korridorin 8 brenda këtij mandati qeverisës.