Kosovë Lajme

Kryetari i Ulqinit, Genc Nimanbegu i shkon për vizitë kryeministrit Kurti

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mirëpriti në takim Kryetarin e Komunës së Ulqinit, Genc Nimanbegu, së bashku me delegacionin që e shoqëronte.

    Vizita u zhvillua një ditë pas shënimit të përvjetorit të Pavarësisë së Kosovës, me ç’rast kryetari Nimanbegu e uroi Kryeministrin Kurti për festën.

    Gjatë takimit, Kryeministri Kurti theksoi se festa e Ditës së Pavarësisë së Kosovës është festë e të gjithë shqiptarëve, pasi në rrugëtimin drejt lirisë dhe pavarësisë kanë kontribuar shqiptarë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Lugina e Preshevës dhe mërgata.

    Diskutuan për tema me interes të përbashkët, përfshirë zhvillimet politike dhe ekonomike në rajon, si dhe mundësitë e bashkëpunimit të mëtejmë në dobi të qytetarëve.

    Kryeministri Kurti e falënderoi kryetarin Nimanbegu për vizitën dhe urimet dhe shprehu gatishmërinë e plotë për thellimin e bashkëpunimit të ndërsjellë në dobi të zhvillimit dhe mirëqenies së shqiptarëve në Malin e Zi.

    Kryetari Nimanbegu i dhuroi Kryeministrit Kurti një maket punë dore të një anijeje ulqinake me vela, të punuar nga mjeshtri Xhevat Kashoxha.