Kosovë Lajme

Çështja e zgjedhjes së Presidentit, Haxhiu në pritje të kandidaturave

    Kryetarja e Kuvendit Albulena Haxhiu, ka folur sot për çështjen e zgjedhjes së presidentit.

    Ajo para mediave deklaroi se është në pritje të kandidaturave për ta thirrur seancën.

    “Sapo t’i kem nënshkrimet nga kandidatët, sepse ju e dini që duhet të jenë 30 nënshkrime nga 2 kandidatë do ta thërrasim seancën dhe do të procedojmë me të. Para së gjithash duhet të ketë takime me të gjitha partitë politike të cilat janë të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës në mënyrë që të adresohen përgjegjësitë”, deklaroi ajo transmeton Klankosova.tv

    Haxhiu shtoi se ndonëse sipas disa interpretimeve gjithçka duhet të përfundojë deri më 4 mars, ajo nuk mund të veprojë pa u plotësuar kushti i nënshkrimeve.

    E para e legjislativit këto komente i bëri pas takimit me kryetarët e Komisioneve të Kuvendit.