Lajme Maqedoni

Media ndërkombëtare rikthejnë në vëmendje pretendimet për lidhje të Ivan Stoilkoviç me BIA-n serbe

    Shkup – Në opinionin publik janë rikthyer diskutimet lidhur me pretendimet për kontakte dhe koordinime politike mes Ivan Stoilković dhe Agjencisë së Sigurimit dhe Inteligjencës së Serbisë – BIA, të cilat më herët janë publikuar nga media ndërkombëtare investigative.

    Sipas publikimeve të organizatave OCCRP dhe KRIK, në vitin 2017, gjatë krizës politike në Maqedoninë e Veriut, në dokumente të inteligjencës janë evidentuar komunikime mes Stoilkoviçit dhe Goran Živaljević, zyrtar i BIA-s, i cili në atë kohë vepronte edhe si këshilltar në Ambasadën e Serbisë në Shkup.

    Në këto materiale përmendet roli i Stoilkoviçit në koordinime politike dhe mediatike, përfshirë organizimin e kontakteve me gazetarë dhe përpjekje për ndikim në opinionin publik gjatë një periudhe të ndjeshme institucionale për vendin.

    Raportimet theksojnë se këto aktivitete janë zhvilluar në kontekstin e tensioneve të mëdha politike dhe institucionale, duke ngritur pikëpyetje serioze mbi ndikimet e jashtme në proceset e brendshme politike të Maqedonisë së Veriut.

    Rikthimi i kësaj çështjeje në debat ndodh në një moment kur në vend po diskutohet gjerësisht për sigurinë shtetërore, ndikimet e huaja dhe integritetin e institucioneve, tema që vazhdojnë të jenë me interes të lartë për qytetarët./press7.tv