Lajme Maqedoni

Maqedonia e Veriut, vendi i parë nga Ballkani që përfundon raportin pas monitoringut, Qoku nga Asambleja Parlamentare: Është ditë historike

    Koordinatori i grupit parlamentar të VLEN-it, Bekim Qoku, ka njoftuar se sot në Këshillin e Evropës është vulosur një kapitull i rëndësishëm për Maqedoninë e Veriut, me përfundimin zyrtar të dialogut të pas-monitoringut.
    Sipas Qokut, ky zhvillim konfirmon se Maqedonia e Veriut është pjesë e pandashme e Evropës demokratike dhe se përkushtimi ndaj reformave po jep rezultate konkrete. Ai theksoi se vendi ynë është i pari nga gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor që e përmbyll këtë proces, duke e cilësuar përparimin si një inkurajim për gjithë rajonin.
    “Stabiliteti dhe demokracia në Evropë varen nga avancimi i vazhdueshëm i gjithë Ballkanit Perëndimor”, ka theksuar Qoku, duke shtuar se ky sukses nuk duhet parë si përjashtim, por si shembull pozitiv.
    Qoku bëri të ditur se ka pasur nderin t’i drejtohet Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ku ka falënderuar raportuesit Sibel Arslan dhe Joseph O’Reilly për raportin e tyre të hollësishëm, të balancuar dhe konstruktiv.
    Në delegacionin e Maqedonisë së Veriut, që mori pjesë në shënimin e këtij momenti të rëndësishëm, ishin edhe Ivanka Vasilevska, Bisera Kostadinovska-Stojçevska dhe ambasadorja e Maqedonisë së Veriut pranë Këshillit të Evropës, Svetlana Geleva./press7.tv