Lajme Maqedoni

Zv. ministri Iseni: Kërcënimet ndaj gazetares Liridona Vejseli nuk kalojnë, rasti do të shkojë deri në fund

    Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Astrit Iseni, ka reaguar publikisht lidhur me rastin e gazetares Liridona Vejseli, duke theksuar se kërcënimet dhe presioni ndaj saj nuk do të tolerohen dhe se institucionet do ta ndjekin çështjen deri në fund.

    Iseni ka theksuar se dëshmia publike e gazetares në një emision televiziv është provë e qartë se policia i ka qëndruar pranë për ta mbrojtur dhe për të garantuar sigurinë e saj, në një moment kur presioni ndaj fjalës së lirë nga i dyshuari ishte i lartë. Sipas tij, Ministria e Punëve të Brendshme ka vepruar me profesionalizëm, ka mbledhur faktet, ka siguruar dëshmitë dhe ka kryer të gjitha veprimet e nevojshme deri në momentin kur rasti i ka kaluar gjyqësorit.

    Në reagimin e tij, zëvendësministri ka kritikuar ashpër gjyqësorin, duke e cilësuar paradoksale që sot si mbrojtës të drejtësisë paraqiten pikërisht ata që për vite me radhë e kanë politizuar, kapur dhe dëmtuar sistemin. Ai ka theksuar se rënia e besueshmërisë së drejtësisë në rreth 3 për qind nuk është rastësi, por pasojë direkte e instalimeve politike dhe ndërhyrjeve të vazhdueshme.

    Iseni ka nënvizuar se ata që sot shtiren si mbrojtës të gazetarëve dhe të lirisë së medias, dje kanë heshtur, frikësuar dhe shantazhuar zërat kritikë. Ai ka garantuar se rasti i Liridona Vejselit do të shkojë deri në fund dhe se çdo vendim i mundshëm i një gjyqësori të kapur nuk e zbeh faktin dhe as profesionalizmin e punës së MPB-së, e cila, sipas tij, ka vepruar dhe do të veprojë pa asnjë kompromis.

    Në fund, zëvendësministri ka riafirmuar mbështetjen e plotë për gazetarinë e mirëfilltë, denoncuese dhe investiguese, duke theksuar se gazetarët e guximshëm janë korrigjuesi real i sistemit dhe një mekanizëm i domosdoshëm që i detyron institucionet të japin llogari. Ai ka theksuar se çdo gazetar apo gazetare që guxon të flasë hapur dhe të denoncojë bashkëpunimin joprofesional të prokurorëve dhe gjykatësve kundër atyre që ngrejnë zërin, meriton përkrahje të plotë./press7.tv