Kosovë Lajme

Kurti: Eksportet e shërbimeve TIK u rritën 386% në katër vitet e fundit

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se sektori i teknologjisë së informacionit dhe komunikimit (TIK) po shënon rritjen më të shpejtë në ekonominë e vendit, duke u shndërruar në një ndër shtyllat kryesore të zhvillimit ekonomik.

    Sipas tij, eksportet e shërbimeve TIK janë rritur me 386 për qind gjatë katër viteve të fundit, ose gati janë pesëfishuar, çka dëshmon potencialin e këtij sektori për t’u bërë motor kyç i rritjes së qëndrueshme ekonomike.

    Kurti theksoi se sektori i TIK-ut, së bashku me shërbimet profesionale dhe mbështetëse, kontribuon me rreth 6 për qind në Bruto Produktin Vendor. Ai shtoi se punësimi në teknologji ka efekt multiplikues, duke ndikuar edhe në krijimin e vendeve të reja të punës në sektorë të tjerë të ekonomisë.

    Kryeministri bëri të ditur se mbështetja për këtë sektor do të mbetet prioritet i qartë i Qeverisë edhe në mandatin e ardhshëm, veçanërisht përmes Fondit të Inovacionit dhe projektit të Kullës TIK (ICT Tower).

    Gjatë vizitës së sotme në Qendrën e Inovacionit në Kosovë (ICK), Kurti u njoftua edhe me Pasqyrën e Ekonomisë Digjitale, të prezantuar nga Data4X./Press7.tv

    Statusi i plote:

    https://www.facebook.com/share/p/18UV57YrTi/?mibextid=wwXIfr