Kosovë Lajme

Kurti: Vrasja e Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës nuk duhet të mbetet pa u ndriçuar

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar 44-vjetorin e vrasjes së Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës, të cilët u ekzekutuan në Stuttgart të Gjermanisë nga shërbimet sekrete jugosllave, vetëm nëntë muaj pas demonstratave të vitit 1981.

    Në një postim në rrjetet sociale, Kurti ka theksuar se vrasja e tyre ndodhi në një periudhë të represionit të ashpër, të shoqëruar me përndjekje, arrestime arbitrare dhe burgosje politike, pikërisht në kohën kur po rritej organizimi për Republikën e Kosovës, barazinë dhe çlirimin e popullit shqiptar.

    “Sot bëmë homazhe në Dubovik të Deçanit”, ka shkruar Kurti, duke bërë të ditur se është pritur nga Donika Gërvalla, ministre në detyrë e Punëve të Jashtme të Kosovës, si dhe ka vizituar familjen e Kadri Zekës, ku u prit nga Izmi Zeka, Zenun Pajaziti dhe familjarë të tjerë.

    Sipas Kurtit, përveçse patriotë, Gërvallët dhe Zeka ishin edhe aktivistë, krijues, gazetarë dhe intelektualë, ndërsa me vrasjen e tyre nuk janë humbur vetëm tre veprimtarë, por edhe poetë e shkrimtarë që kontribuan përmes ideve dhe mendimit kritik.

    Kryeministri ka theksuar se zbardhja e së vërtetës për këtë vrasje, përfshirë urdhërdhënësit dhe ekzekutorët, duhet të ndriçohet deri në fund, në mënyrë që të mundësohet drejtësia e ndëshkimit.

    Në përfundim, Kurti ka shprehur lavdi për Jusufin, Bardhoshin, Kadriun dhe të gjithë dëshmorët e kombit shqiptar./press7.tv

    Statusi i plotë:

    https://www.facebook.com/share/p/1MHVvsJjL5/?mibextid=wwXIfr