Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka thënë se partia dhe ai kanë pritur rezultat më të mirë dhe se PDK-së i duhet rezultat më i mirë.
Megjithëkëtë në konferencën për media të mbajtur një ditë pas zgjedhjeve, Hamza ka theksuar se PDK-ja ka arritur ta ruajë votën dhe elektoratin e vet.
Hamza ka bërë thirrje për konstituimin sa më të shpejtë të institucioneve të reja.
“Shpresoj që sa më parë të konstituohen institucionet. Vendi duhet të ketë institucione dhe të mos kemi më vakum institucional”, ka theksuar ai.
Kreu i PDK-së ka thënë se pozita që mban në parti i ka përgjegjësitë e veta dhe se ai nuk do të fshihet pas tyre.
Ka theksuar se do të organizojë takime me strukturat e partisë dhe vendimet do t’i marrë në kohë.
“Këto ditë do të kemi takime me strukturat e partisë, vendimet i marrë në kohë, ta analizuara, të peshuara mirë dhe sigurisht nuk vonohem në vendimmarrje”, ka theksuar Hamza.
Ai ka thënë se pret që secila nga partitë ta kryejë punën e vet.
“Edhe partitë që kanë fituar edhe ne që mund të jemi në opozitë ta japim kontributin brenda përgjegjësive tona”, është shprehur Hamza.
I pyetur nëse do t’i mbështesë marrëveshjet ndërkombëtare në Kuvend, Hamza ka thënë se për gjithçka që është në interes të Kosovës, PDK-ja do ta japë kontributin e saj.
Sa i përket marrëveshjeve ndërkombëtare, edhe në të kaluarën i kemi votuar, të gjitha ato që janë në dobi edhe në interes të qytetarëve të Kosovës”, ka deklaruar Hamza.
Hamza: Ka mundësi të gjendet formë për zgjedhje të presidentit
Për çështjen e presidentit ai ka thënë se beson që është proces i ndarë nga konstituimi i Kuvendit. Hamza ka thënë se ka mundësi të gjendet formë për zgjedhjen e presidentit.
Presidentes Vjosa Osmani i skadon mandati në mars të vitit të ardhshëm.
“Unë pres që fillimisht të konstituohet Kuvendi, të formohet Qeveria, të vazhdojë punën dhe kur të vijë koha e presidentit, ka mundësi të gjendet formulë se si të zgjidhet presidenti dhe të mos bllokohet vendi”, ka theksuar Hamza.

