Kosovë Lajme

Katër monedha antike nga rajoni i Mitrovicës

    Rajoni i Mitrovicës së sotme gjatë shekujve të fundit para erës sonë dhe shekujve të parë të erës sonë ishte udhëkryq i rrugëve të rëndësishme magjistrale e lokale dhe qendër e rëndësishme administrative, ekonomike e metalurgjike dhe nga ajo kohë janë gjetur mbetje të ndryshme arkeologjike në mesin e të cilëve vend të posaçëm kanë monedhat antike

    Falë afërsisë me një nga lokalitetet më të njohura dhe më të pasura të antikitetit Municipium Dardanorum, në rajonin e Mitrovicës gjatë shekullit kaluar e po ashtu edhe gjatë çerekut të parë të këtij shekulli, janë bërë gjetje të vlefshme arkeologjike qofshin ato arkitektonike, epigrafike, numizmatike apo të artefakteve të ndryshme.

    Gjatë dekadave të kaluara në Municipium Dardanorum dhe në vetë rajonin e Mitrovicës është gjetur një numër i madh monedhash antike prej ari, argjendi e bronzi të cilat deri para luftës së fundit në Kosovë ruheshin në Muzeun e Mitrovicës. Madje në vitin 1980 numizmatja nga Shqipëria Shpresa Gjongecaj i kishte sistemuar, katalogizuar dhe përshkruar secilën veç e veç.

    Para hyrjes së forcave të NATO-s në Kosovë, serbët i kishin plaçkitur shumë nga eksponatet e Muzeut të Mitrovicës dhe i kishin dërguar në pjesën e qytetit përtej Ibrit. Megjithatë kishin mbetur edhe disa eksponate të vlefshme nga periudha e neolitit si djepi ritual dhe disa figura të periudhës parahistorike prej argjile, figura origjinale e muzës prej plumbi dhe një sasi monedhash romake. Ndërkohë që janë zhdukur si monedhat ashtu edhe shënimet lidhur me këto – përshkrimet e madhësisë, peshës, materialeve prej të cilëve ishin punuar monedhat, vendzbulimet dhe rrethanat e zbulimit të tyre, kështu që në Katalogun e Muzeut të Mitrovicës të publikuar në vitin 2020, janë të prezantuara vetëm katër monedha nga periudha romake.

    Meqë vitin e kaluar janë gjetur katër monedha me vlerë të vogël komerciale por me vlerë të madhe numizmatike, po i publikojmë si kontribut i fondit të koleksionit numizmatik të Muzeut të Mitrovicës.

    1. Follis prej bronzi i kohës së princit romak Crispus (Flavius Julius Crispus, princ, i biri i perandorit Constantinus Io dhe bashkësundues i babait të tij gjatë viteve 317-326) me madhësi 19 mm dhe me peshë prej 2,90 gr.

    Follisi (qese me monedha ose shtresë e hollë metalike) ishte lloj i monedhës prej bronzi në sistemin monetar romak e bizantin i cili ka pësuar mjaft ndryshime gjatë historisë së vet. Follisin romak e kishte futur në qarkullim perandori Diocletianus rreth vitit 294 të erës sonë dhe në fillim follisi ishte prej bronzi, peshonte 10 gr. dhe kishte 4 për qind argjend. Gjatë kohës në vijim kishte rënë edhe madhësia e po ashtu edhe përqindja e argjendit.

    Në avers është portreti i majtë i princit me kurorë në kokë dhe rreth tij është mbishkrimi: FL IVL CRISPVS NOB C-Flavius Julius Nobilissimus Caesar-Flavius Julius Crispus Princi më fisnik.

    Në revers është porta e kampit ushtarak me dy kulla anash në pjesën e epërme të cilat simbolizojnë forcën e perandorëve, e rreth saj është mbishkrimi: PROVIDENTIAE CAESS-Providentiae Caesaris-Largpamësia e princërve. Në anën e epërme, mes dy kullave është një yll.

    Në ekserg është shenja e punëtorisë monedhëprerëse: MNΓ. Monedha është prerë mes viteve 325-326 të erës sonë në Nicomedia, Bithynia (Izmit, Turqi). Monedha është gjetur në rajon të Mitrovicës. Është pjesë e koleksionit privat.

    2. Follis prej bronzi i kohës së perandorit Constantius IIo (Imperator Caesar Flavius Julius Constantius Augustus, 337-361) me madhësi 18 mm dhe me peshë prej 1,90 gr.

    Në avers është portreti i djathtë i perandorit me diademë në kokë e rreth tij është mbishkrimi: DN CONSTANTIVS PF AVG (Dominus Noster Constantius Piux Felix Augustus).

    Në revers është perandori me përkrenare në kokë, i veshur me veshje e pajisje ushtarake duke e goditur me shtizë kalorësin armik dhe duke mbajtur mburojën në dorën e majtë dhe rreth tij është mbishkrimi: FEL TEMP REPARATIO (Felicitas Temporum reparatio-rivendosje e kohëve të lumtura).

    Në ekserg është shenja e punëtorisë monedhëprerëse: CONS. Monedha është prerë mes viteve 351-355 të erës sonë në Constantinopolis (Stamboll, Turqi). Kjo monedhë është gjetur në rajonin e Mitrovicës. Është pjesë e koleksionit privat.

    3. Follis prej bronzi i kohës së perandorit Theodosius Io (Imperator Caesar Flavius Theodosius Augustus, 379-395) me madhësi 8 mm dhe me peshë prej 1,0 gr. Kjo është monedhë e madhësisë të vogël jo të zakonshme.

    Në avers është portreti i djathtë i perandorit me veshje ushtarake dhe me kurorë me perla në kokë e rreth tij është mbishkrimi: DN THEODOSIVS PF AVG-Dominus Noster Theodosius I, Pius Felix Augustus-Zoti ynë Theodosi Augusti (Perandori) i devotshëm.

    Në revers është hyjnesha Victoria e kthyer në anën e majtë duke bartur një trofe në dorën e djathtë dhe duke e tërhequr një rob lufte me dorën e majtë. Në anën e majtë nga hyjnesha është një kritograk. Rreth kësaj skene është mbishkrimi: SALVS REIPVBLICAE-Mbrojtja/mirëqenia e shtetit.

    Në ekserg është shenja e punëtorisë monedhëprerëse: SMK. Monedha është prerë mes viteve 388-392 në Cyzicus (Capu Dagh,Turqi).

    Monedha është gjetur në rajonin e Mitrovicës. Është pjesë e koleksionit privat.

    4. Monedhë e llojit trachy prej bronzi i periudhës bizantine, me trajtë konkave i kohës së perandorit Alexios III (Alexios III Angelos Komnenos, 1195-1203) me madhësi 24 x 20 mm dhe me peshë prej 1,80 gr.

    Trachy prej legurës së metaleve të çmuara me përqindje të madhe të bakrit, i kohës së sundimit të perandorit Aleksi III Engjëlli (Alexios III Angelus Comnenus, 1195-1203) me madhësi 27 mm dhe me peshë 4,36 gr.

    Trachy – lloj monedhe prej bakri apo elektrumi, përdorej prej shekullit XIo deri në shekullin XIVo

    Në avers është figura en face e Krishtit Emmanuel me dorën e djathtë të ngritur në pozitë bekimi dhe duke mbajtur Ungjijtë në dorën e majtë, e rreth tij shkronjat: IC XC (IC XC NIKA – Jezu Krishti pushton).

    Në revers janë figurat e perandorëve Alexios III Angelos dhe Shën Kostandini enface, me aureola, duke e mbajtur labarum dhe globin me kryq mes tyre e rreth tyre mbishkrimi: AΛEZIOC DECΠ O KΩNCTANTI. Perandori Alexios III Komnenos (gr.) – Comnenus (lat.) kishte rrëmbyer fronin perandorak pasi kishte rrëzuar, verbuar dhe burgosur vëllain Isaac II Angelos (Isakios Angelos, 1185-1195). Është i njohur për sulmin në Kostandinopojë në vitin 1203 gjatë Kryqëzatës së Katërt.

    Monedha është prerë mes viteve 1195-1203 në Constantinopolis (Stamboll, Turqi). Është pjesë e koleksionit privat.

    Monedhat e përmendura bashkë me monedhën të llojit quadrans të kohës së perandorit Trajanus (98-117), denariusin prej argjendi të perandorit Elagabalus (218-222), antoninianusin prej argjendi të kohës së sundimit të perandorit Gordianus III (238-244), dupondiusin prej bronzi të kohës së sundimit të perandorit Philippus IIo (247-249), follisin prej bronzi të kohës së sundimit të perandorit Constantius Io Chlorus (Caesar 293-305, Augustus 305-306, i ati i perandorit Constantinus I) dhe me mjaft monedha të tjera të gjetura më herët, dëshmojnë vazhdimësinë e jetës së urbanizuar në këtë rajon, qendër e të cilit ishte Municipiumi Dardanorum gjatë kohës së sundimit romak.

    Lokaliteti pararomak dardan, në kohën romake ndodhej vendbanimi romak i cili kohën e artë e kishte arritur gjatë periudhës së sundimit të perandorëve Trajanus (98-117) e Hadrianus (117-138) kur e kishte fituar rangun e muncipiumit romak dhe ishte rindërtuar në kohën e perandorit Diocletianus (284-305).

    Emërtimi i tij, pos në dokumente epigrafike (me shkurtesa MVN DD, MVN DARD), është dëshmuar edhe në një monedhë të gjetur në këtë lokalitet i cili gjendet te Soçanica, afër Mitrovicës.

    Fjala është për një monedhë të llojit quadrans prej bronzi (me vlerë prej një çereku të asit) me madhësi prej 15 mm. dhe me peshë prej 2,70 gr. të prerë në Romë gjatë kohës së perandorit Trajanus mes viteve 98 e 102 të erës sonë. Në avers të monedhës është portreti i djathtë i perandorit me kurorë në kokë dhe rreth tij mbishkrimi: IMP CAES NERVA TRAIAN AVG (Imperator Caesar Nerva Trajanus Augustus).

    Në revers është figura femërore në këmbë, e kthyer në anën e djathtë, me kalli drithi në dorë e hyjneshës së paqes Pax, hyjneshës Terra Mater (hyjneshë e lashtë e pjellorisë, shumë të nderuar nga minatorët) ose ndoshta është personifikim i Dardanisë, në këmbë dhe rreth saj mbishkrimi: [METALLI] DARDANICI. Kjo monedhë është gjetur para vitit 1970 në rajonin e Municpium Dardanorum dhe është dërguar në Beograd.

    Monedhat minerare e kishin pasur përdorimin e kufizuar dhe janë prerë në kohën e perandorëve: Trajanus (Imp Caesar Nerva Traianus Augustus, 98-117), Hadrianus (Publius Aelius Hadrianus Augustus, 117-138), Antoninus Pius (Titus Aelius Ha­drianus Antoninus Pius, 138-161) dhe vetëm një seri e rrallë sosh ishte prerë në kohën e Mark Aurelit ((Imp Caesar Marcus Aurelius Antonius Augustus).

    Monedhat në fjalë janë prerë në punëtoritë provinciale monedhëprerëse në Nicomedia (sot Izmit në Turqi), Cyzicus (Capu Dagh, Turqi) dhe Constantinopolis (Stamboll, Turqi), ndërsa për “nummus metallorum” kallëpet ndoshta janë punuar në Romë dhe pastaj janë dërguar në punëtorinë monedhëprerëse të Viminacium (Kostollac në Danub).