Lajme Maqedoni

Mickoski rizgjidhet në krye të VMRO-DPMNE-së, paralajmëron revolucion ekonomik në vend

    Ekonomia e Maqedonisë së Veriut gjendet përpara një nevoje historike për transformim, pas shumë viteve stagnimi të shkaktuar nga pagat e ulëta, fuqia punëtore lehtësisht e disponueshme dhe kapacitetet e kufizuara prodhuese.

    Kryeministri Hristijan Mickoski, i cili në konventën partiake të VMRO-DPMNE-së që u mbajtë në Kavadar, ku u rizgjodh në krye të VMRO-DPMNE-së, theksoi se deri në vitin 2030 shteti duhet të kryejë një ndryshim rrënjësor – nga një ekonomi e bazuar në prodhim të lirë, drejt një ekonomie që mbështetet në ekspertizë, aftësi të avancuara dhe krijimin e vlerës së lartë të shtuar.

    Sipas Mickoskit, ekonomia maqedonase duhet ta kapërcejë modelin e efikasitetit të dobët dhe varësinë nga importet, duke u orientuar drejt një ekonomie inovative të bazuar në teknologji dhe dije.

    “Ky tranzicion kërkon një cikël sistemor reformash në disa fusha: industri të bazuara në dije, ICT, bioteknologji, farmaci, inxhinieri dhe industri kreative – kjo është matrica e re ekonomike”, theksoi Mickoski.

    Shteti duhet të investojë në sektorë që gjenerojnë vlerë të lartë të shtuar dhe konkurrueshmëri në tregun global. Digjitalizimi dhe automatizimi janë kyçe për integrimin në zinxhirët prodhues evropianë dhe globalë, shtoi ai.

    Modernizimi i sektorit të biznesit përmes teknologjive të reja digjitale, parqeve teknologjike dhe krijimit të vendeve të punës me vlerë të lartë të shtuar do të rrisë potencialin eksportues të vendit. Kompanitë vendase, sipas Mickoskit, duhet të bëhen motorë të zhvillimit ekonomik duke pasur mbështetje të fortë institucionale: injeksione financiare, linja kreditore, më pak barriera administrative dhe stimuj për zhvillim.

    Politika fiskale e qëndrueshme, rregullat tatimore të parashikueshme dhe planifikimi strategjik afatgjatë, të harmonizuara me standardet evropiane, janë themeli i përparimit.

    “Asnjë kompani nuk investon në një shtet ku rregullat tatimore ndryshohen çdo ditë. Besimi ndërtohet me qëndrueshmëri, qartësi dhe transparencë”, theksoi Mickoski.

    Ekonomia e gjelbër, siç u shpreh ai, nuk është projekt politik, por një domosdoshmëri shtetërore. Ai bëri thirrje për investime në burime të rinovueshme të energjisë, modernizim të rrjetit të transmetimit dhe projekte rajonale energjetike për të ulur varësinë dhe për të nxitur rritje të re ekonomike.

    “Stabiliteti dhe zhvillimi janë të pamundura pa besim në shtet, dhe besimi ndërtohet përmes institucioneve të pavarura, sundimit të ligjit dhe sistemeve që krijojnë drejtësi, e jo varësi. Pa besim në institucione – nuk ka shtet. Shteti i së drejtës nuk është vetëm një grumbull ligjesh, por zbatimi i tyre konsekuent”, tha Mickoski, duke shtuar se Maqedonia duhet të kalojë nga demokracia formale në atë funksionale.

    Ai i theksoi dhjetë parimet që e formësojnë kornizën e udhëheqjes moderne: dinjiteti mbi të gjitha, drejtësia si autoritet i vetëm, dija si kapitali më i lartë, shteti i fortë por jo dominues, kombi si komunitet, ekonomia e tregut që krijon mundësi, institucionet si zemra e demokracisë, orientimi evropian si vlerë civilizuese, teknologjia dhe qëndrueshmëria si motorë të progresit dhe një shoqëri e ndërtuar mbi besimin.