Kosovë Lajme

Betohen kryetarët e rinj serbë, respektohen simbolet shtetërore të Kosovës

Screenshot

    (E plotësuar, ora 12:00) Kryetarët e komunave veriore të Kosovës janë betuar në detyrë, duke respektuar simbolet shtetërore të Republikës së Kosovës.

    Betohet kryetari i ri i Mitrovicës së Veriut

    Në seancën inauguruese të Kuvendit Komunal të Mitrovicës së veriut është betuar edhe kryetari i ri, Millan Radojeviq.

    Radojeviq ka deklaruar se do të punojë për interesin e qytetit të Mitrovicës së Veriut.

    Deri më tani kjo komunë u udhëhoq nga Erden Atiq.

    Betohet kryetari i ri i Zveçanit

    Ka dhënë betimin si kryetar i ri i Komunës së Zveçanit Dragisha Miloviq. Ai ka thënë se i presin shumë sfida, por ka shtuar se duhet të ruhet paqja e siguria në komunë. Miloviq ka falënderuar të gjithë qytetarët për besimin e dhënë.

    “Periudha para nesh nuk do të jetë e lehtë, do të jetë me sfida. Të ruajmë së paku paqen dhe sigurinë në hapësirën e komunës. Çdo familje që banon në Zveçan të ndihet e sigurt”, ka thënë Miloviq pas betimit.

    Ai ka theksuar se do të bashkëpunoj me të gjitha institucionet në Prishtinë

    “Do të bashkëpunoj edhe me përfaqësuesit e misioneve me KFOR, me EULEX, me OSBE, me të gjitha institucionet në Prishtinë, MAPL dhe juve mediave. Duhet të kuptojmë që qeverisja lokale duhet të jetë e fokusuar të qytetarët”, ka deklaruar ai.

    Betohen kryetari i Zubin Potokut

    Është betuar edhe kryetari i ri i Zubin Potokut, Millosh Peroviq.

    “Unë si kryetar Millosh Peroviq deklaroj së do të kryej detyrat e mia dhe ushtroj kompetencat e mia me nder dhe besnikëri në mënyrë që të krijoj kushte për jetë në Komunën e Zubin Potokut te sigurt dhe të qetë. Si kryetar falënderoj të gjithë na presin plane të vazhdueshme të komunës”, ka thënë ai gjatë betimit të tij.

    Betimin si i pari i komunës së Leposaviqit e ka dhënë edhe Zoran Todiq. Ai përfaqëson Listën Serbe.

    Secili betim në katër komunat veriore u bë nën simbolet e Republikës së Kosovës.

    Gjithçka është gati për seancat inauguruese në katër komunat veriore

    Gjithçka gati në ambientet e asambleve komunale në veri, ku seancat inauguruese në katër komunat veriore të Republikës së Kosovës do të mbahen sot, duke filluar nga ora 11:00.

    Këto seanca shënojnë fillimin e mandatit të kryetarëve të rinj në Mitrovicën e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.

    Sot mbahen seancat inauguruese në katër komunat veriore të Kosovës

    Seancat inauguruese në katër komunat veriore të Republikës së Kosovës do të mbahen sot, duke filluar nga ora 11:00. Këto seanca shënojnë fillimin e mandatit të kryetarëve të rinj në Mitrovicën e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.

    Izmir Zeqiri në Zubin Potok, Erden Atiq në Mitrovicë të Verijut, Lulzim Hetemi në Leposaviq dhe Ilir Peci në Zveçan, sot do t’ua dorëzojnë detyrën kryetarëve të rinj që vijnë nga Lista Serbe.

    Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) ka konfirmuar se inaugurimet do të zhvillohen në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi të Republikës së Kosovës.

    Procedurat ligjore dhe administrative të kalimit të pushtetit në komunat veriore nuk dallojnë nga ato të komunave të tjera në vend, pasi të gjitha institucionet komunale janë të obliguara të respektojnë të njëjtat rregulla të vetëqeverisjes lokale.

    Ministri në detyrë i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka theksuar për RTKlive se ceremonitë inauguruese pritet të zhvillohen në përputhje të plotë me standardet e përcaktuara me ligj, duke përfshirë përdorimin korrekt të elementeve shtetërore të Republikës së Kosovës.

    Ai ka nënvizuar se në komunat veriore inaugurimi do të zhvillohet pa asnjë përjashtim sipas legjislacionit të Republikës së Kosovës, përfshirë respektimin e simboleve shtetërore dhe dy-gjuhësisë zyrtare.

    “Në çdo rast kur konstatohet mosrespektim i këtyre procedurave, MAPL do t’i shpallë të paligjshme dhe jolegjitime seancat përkatëse, sipas legjislacionit në fuqi të Republikës së Kosovës”, ka deklaruar ai për RTKlive.

    Ai ka bërë të ditur se MAPL ka krijuar ekipe për monitorimin e seancave inauguruese, të cilat do të jenë të pranishme fizikisht në të gjitha mbledhjet për të siguruar respektimin e procedurave kushtetuese dhe ligjore.