Lajme Maqedoni

Mexhiti në mbledhjen përkujtimore për Shpat Kasapin: Ishte artist i madh, trashëgimia e tij do të jetojë përgjithmonë

    Sot në Komunën e Çairit është mbajtur mbledhje përkujtimore për artistin Shpat Kasapi, i cili ndërroi jetë para disa ditës, si pasojë e një arresti kardiak.

    Përveç familjarëve, kolegëve dhe dashamirëve të Shpatit, fjalim mbajti edhe kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti.

    Izet Mexhiti në fjalimin e tij tha se arti i Shpat Kasapit do të jetojë çdo herë dhe se trashëgimia e tij muzikore është pjesë e kulturës sonë moderne.

    “Përtej artit Shpati ishte njeri i qeshur, i sjellshëm dhe i dashur. Energjia e tij pozitive ndihej kudo dhe kujtimet për të mbeten po aq të forta sa këngët që la pas. Trashëgimia e tij është e çmuar dhe do të jetojë gjatë. Kontributi i Shpatit është pjesë e kulturës moderne. Sot i themi lamtumirë dhe jemi mirënjohës për muzikën që na e la. Arti i Shpatit do të jetojë çdo herë në mesin tonë. Lamtumirë Shpat, qofsh nën mëshirën e Zotit”, tha Mexhiti.

    Në mbledhjen e sotme mori pjesë edhe nëna e këngëtarit të ndjerë, e cila me mesazhin e saj preku të pranishmit.
    “Faleminderit që organizuat këtë eveniment për nder të humbjes së madhe të shpirtit tim, të gjysmës time, Shpatit. Ndoshta pyesni pse nuk jam në gjendje të flas… 22 vjet kam ligjëruar, por sot ndjej një emocion që kurrë në jetë nuk e kam ndjerë. E dinë të gjitha nënat që kanë humbur fëmijën e tyre”.

    E ëma e artistit tha se dhimbja është e papërshkrueshme, por njëkohësisht ndjen krenari për djalin që rriti.

    “Jam shumë krenare dhe e lumtur që pata lindur një djalë që nuk paska qenë vetëm i imi. Paska qenë i të gjithëve juve, e paskeni dashur të gjithë. Ju falënderoj nga zemra”, tha Gjilimsere Kasapi.