Botë Lajme

Ukraina pajtohet me planin e ndryshuar të Trumpit

    Ukraina ka rënë dakord për një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës me Rusinë me vetëm disa “detaje të vogla” që duhet të zgjidhen, ka thënë një zyrtar amerikan, edhe pse presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka thënë se duhet bërë më shumë punë.

    Duke folur teksa sekretari i ushtrisë amerikane ndodhet në Abu Dhabi duke mbajtur takime me zyrtarë rusë në lidhje me propozimin e administratës Trump, zyrtari ka thënë se “ukrainasit kanë rënë dakord për marrëveshjen e paqes”, raporton CNN.

    “Ka disa detaje të vogla që duhen zgjidhur, por ata kanë rënë dakord për një marrëveshje paqeje”, ka deklaruar ai.

    Deklarata e SHBA-së duket se shkon më tej se qëndrimi publik i zyrtarëve ukrainas, të cilët gjithashtu kanë një delegacion të pranishëm në Abu Dhabi dhe që kanë qenë në kontakt me sekretarin e Ushtrisë, Dan Driscoll.

    Në një postim në X, sekretari i Sigurisë Kombëtare të Ukrainës, Rustem Umerov, ka shkruar se delegacionet kishin “arritur një mirëkuptim të përbashkët mbi kushtet thelbësore të marrëveshjes së diskutuar në Gjenevë”.

    “Tani mbështetemi në mbështetjen e partnerëve tanë evropianë në hapat tanë të mëtejshëm”, ka shkruar Umerov.

    Ai ka shtuar se Ukraina mezi pret të organizojë një vizitë të Zelenskyt në SHBA për të “përfunduar hapat e fundit dhe për të arritur një marrëveshje me presidentin Trump”.

    Pas takimeve në Gjenevë, shohim shumë perspektiva që mund ta bëjnë rrugën drejt paqes reale. Ka rezultate të forta dhe ende ka shumë punë përpara”, ka shkruar Zelensky në një postim në X mëngjesin e së martës.

    Më herët gjatë ditës, “The Guardian” raportoi se Ukraina ka amendamentuar dukshëm planin amerikan të paqes duke e ulur nga 28 në 19 pika planin e përgjithshëm. Aty u raportua se Ukraina ka hequr disa prej kërkesave maksimaliste të Rusisë.

    Plani origjinal 28-pikësh i Shteteve të Bashkuara u hartua muajin e shkuar nga Kirill Dmitriev, emisari special i Vladimir Putinit, dhe përfaqësuesi i Trumpit, Steve Witkoff. Aty bëhet thirrje që Ukraina të tërhiqet nga disa qytete që vazhdon t’i kontrollojë ende në rajonin e Donbasit, që ta zvogëlojë kapacitetin ushtarak dhe të zotohet për të mos iu bashkuar NATO-s.