Zëvendësministri i Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut, Astrit Iseni, mbajti sot një fjalim në takimin e Komitetit të Punës për Strategjinë Kombëtare të Zhvillimit, në sesionin kushtuar temës Shoqëri e sigurt me fokus në politikën e sigurisë së brendshme.
Në aktivitet morën pjesë Përfaqësuesi i Përhershëm i UNDP-së Armen Gregorian, Sekretari i Përgjithshëm i Qeverisë Igor Janushev, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, institucioneve shtetërore dhe ekspertë nga fusha e sigurisë.
Iseni theksoi rolin qendror të Ministrisë së Punëve të Brendshme në krijimin dhe zbatimin e politikave të sigurisë, duke nënvizuar se ato përbëjnë një shtyllë kyçe të Strategjisë Kombëtare të Zhvillimit, dokument i cili paraqet vizionin afatgjatë për zhvillimin e vendit në dy dekadat e ardhshme.
Sipas tij, siguria është themeli i çdo progresi shoqëror, ndërsa një shtet i qëndrueshëm krijon parakushtet për zhvillim ekonomik, përparim social dhe sundim efikas të ligjit. Ai theksoi se MPB-ja mbetet e përkushtuar në përmbushjen e prioriteteve strategjike dhe në forcimin e bashkëpunimit me të gjithë aktorët e sistemit të sigurisë.
Zëvendësministri rikujtoi se programet strategjike të MPB-së dhe Plani Strategjik 2025–2027 janë tërësisht të orientuara drejt objektivave kombëtare për një shoqëri të sigurt, të qëndrueshme dhe të drejtë, si dhe drejt zbatimit të reformave që lidhen me procesin e integrimit evropian.
Ai veçoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar me BE-në, NATO-n, UNDP-në dhe partnerë të tjerë, duke theksuar se të gjitha aktivitetet e MPB-së udhëhiqen nga prioritetet e përcaktuara në Strategjinë Kombëtare të Zhvillimit.
Në fund, Iseni shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të UNDP-së dhe vlerësoi se MPB-ja do të vazhdojë të jetë një partner aktiv, i përgjegjshëm dhe i përkushtuar në zbatimin e objektivave strategjike të shtetit./press7.tv


