Kosovë Lajme

Hamza s’ka vija të kuqe për asnjërën parti, por thotë se janë më afër me opozitën

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka përsëritur qëndrimin e tij se nuk ka vija të kuqe për asnjërën nga partitë e tjera, por ka theksuar se më afër me bindje politike dhe programore qëndron me partitë me të cilat dikur kanë qeverisur bashkë apo edhe bashkë kanë qenë në opozitë.

    Hamza ka thënë se vendosja e “vijave të kuqe është treguar e dëmshme për Kosovën”.

    “Sa i përket vijave të kuqe, për ne është më e preferueshme, më afër programeve tona politike, bindjeve tona politike, konceptuale që të jemi bashkë me partitë që kemi qenë në të kaluarën herë në pushtet e herë në opozitë. Do të thotë jemi më të afërt në aspektin programor, konceptual me partitë që kemi qenë në periudha të ndryshme edhe në qeveri, apo edhe në mandatin e kaluar në opozitë”, ka thënë ai në një konferencë për media pas mbledhjes së parë të Kryesisë së PDK-së me Hamzën kryetar.

    Hamza ka bërë thirrje edhe për gjuhë më të përgjegjshme në fushatë.

    Në konferencë ai ka thënë se PDK-ja në programin zgjedhor e ka fokus zhvillimin ekonomik, stabilitetin politik e integrimin euroatlantik.

    “Ne kemi një platformë të qartë qeverisëse për ekonomi të zhvilluar, stabilitet politik, dialog të përgjegjshëm, sundim të ligjit, investime kapitale dhe integrim euroatlantik. E kemi nisur formimin e ekipit, shtabit zgjedhor dhe përgatitjet për një listë dinjitoze e përfaqësuese të kandidatëve për deputetë. PDK do ta zhvillojë një fushatë të qetë, programore dhe të fokusuar te nevojat e qytetarëve. Ashtu si në fushatat e kaluara, ne do ta shmangim gjuhën e përçarjes dhe do të fokusohemi te rezultatet dhe vizioni ynë për vendin”, ka thënë ai.

    Hamza ka deklaruar se është i bindur që PDK-ja do të dalë fituese në zgjedhjet e ardhshme.

    “Më 28 dhjetor, PDK është gati për fitore. Kosova ka nevojë për stabilitet, unitet dhe një qeveri që punon, që bashkëpunon me akterë të brendshëm dhe partnerë të jashtëm, si dhe që jep rezultate. Jo për improvizim, ndarje dhe ikje nga përgjegjësia. Jemi të bindur dhe besojmë thellë se bashkë me qytetarët, ne do ta hapim një kapitull të ri për vendin”, ka thënë ai.

    Hamza ka theksuar se PDK-ja e mirëpret dhe e vlerëson kontributin e mërgatës në procesin zgjedhor.

    Më 28 dhjetor, Kosova do t’i mbajë zgjedhjet parlamentare për herë të dytë sivjet, pas 9 shkurtit sivjet. Lëvizja Vetëvendosje bazuar në rezultatet e zgjedhjeve të para sivjet nuk arriti të siguronte votat e mjaftueshme për të formuar qeverinë. Më 9 shkurt, Lëvizja Vetëvendosje ka dalë e para me 42.30 për qind të votave, e pasuar nga PDK-ja me 20.95, LDK-ja me 18.27 dhe AAK-Nisma me 7.8 për qind të votave.

    PDK-ja në të kaluarën ka qeverisur me të gjitha partitë tjera, pos me Vetëvendosjen.