Lajme Rajon

Presidenti i Serbisë akuzohet se ka marrë pjesë në “safari snajperësh” për vrasjen e civilëve në Sarajevë

    Aleksandar Vuçiq thuhet se ka qenë i pranishëm në një pozicion ushtarak nga ku të huajt gjuanin ndaj banorëve të qytetit gjatë Luftës së Bosnjës.

    Presidenti i Serbisë është akuzuar se ka qenë i përfshirë në “safari snajperësh” në Sarajevë gjatë Luftës së Bosnjës, ku të huaj të pasur dyshohet se kanë paguar shuma të mëdha parash për të qëlluar civilë.

    Pretendohet se Aleksandar Vuçiq ka qenë i pranishëm në një nga pozicionet ushtarake mbi qytet, prej nga të huajt dyshohet se paguanin për të qëlluar banorët gjatë rrethimit të Sarajevës nga viti 1992 deri në 1996.

    Ka dalë gjithashtu një video ku ai shihet si i ri, duke udhëtuar me një automjet të tipit 4×4, në të cilin në bagazh kishte një kafkë njerëzore të vendosur mbi një helmetë të kaltër të paqeruajtësve të OKB-së.

    Akuzat ndaj Vuçiqit – të cilat ai i mohon me forcë – janë bërë nga Domagoj Margetiq, një gazetar investigativ kroat. Ai ka paraqitur një kallëzim kundër presidentit në prokurorinë italiane, e cila tashmë po heton pretendimet se italianë, rusë dhe amerikanë kanë marrë pjesë në “safari njerëzore me snajperë” gjatë konfliktit.

    Margetiq tha:
    “Kam informuar zyrën e prokurorit publik për të gjitha njohuritë e mia mbi lidhjen e Aleksandar Vuçiqit me safaritë njerëzore në Sarajevën e kohës së luftës.
    Kam bashkëngjitur të gjitha provat, materialet video, dokumentacionin fotografik, audio dhe video, si dhe dokumentacionin mediatik të asaj kohe.”

    Në kallëzimin e tij, Margetiq pretendoi se Vuçiq ishte “anëtar i një njësie paramilitare, nën kontrollin e Partisë Radikale Serbe nga Serbia, gjatë viteve 1992 dhe 1993”.
    Sipas tij, njësia ishte “e vendosur në një pozicion lufte… në varrezat hebraike në Sarajevë”, të cilat përdoreheshin si pozicion snajperësh nga forcat serbe.
    Gjatë rrethimit, mbi 10,000 persona u vranë nga granatimet dhe zjarrsnajperët.

    Margetiq shtoi se informatat “e vendosin atë pa asnjë dyshim në kohën dhe vendin e këtyre krimeve”. Ai përmendi një video të vitit 1993 që, sipas tij, e tregon Vuçiqin duke mbajtur një pushkë.
    Mbështetësit e Vuçiqit i kanë hedhur poshtë pretendimet, duke thënë se objekti në video ishte një tripod kamere televizive, të cilin Vuçiq e mbante sepse punonte si gazetar.
    Vetë Vuçiq ka thënë se objekti ishte një ombrellë.

    Prokurorët në Milano hapën hetimet pasi morën informacione se italianë të pasur ishin mes të huajve që paguanin për të qëlluar civilët boshnjakë, ku vlerë më të lartë kishin gratë, fëmijët dhe burrat me uniformë.
    Pretendohet se “turistët e luftës” lejoheshin të qëllonin civilë nga milicitë serbo-boshnjake nën komandën e Radovan Karaxhiqit.

    Zëdhënësja e presidentit, Suzana Vasiljeviq, i tha The Telegraph:
    “Pretendimet e ngritura nga gazetari kroat Domagoj Margetiq përbëjnë një shembull tipik të dezinformimit dashakeq, krijuar me qëllim për të gërryer besueshmërinë institucionale të Republikës së Serbisë dhe të presidentit të saj.

    Presidenti Vuçiq nuk ka marrë pjesë në aktivitete luftarake, nuk ka përdorur armë dhe nuk ka pasur asnjë rol në operacionet e luftës.”
    Ajo shtoi se akuzat janë “politikisht të motivuara” dhe një përpjekje për të “minuar reputacionin ndërkombëtar të Serbisë”.

    Një dokumentar i quajtur “Sarajevo Safari”, i publikuar në 2022 nga një regjisor slloven, dha pretendime të ngjashme për të huaj që merrnin pjesë në “safari lufte gjatë fundjavës”.
    I pyetur për videon e publikuar së fundmi që duket se tregon Vuçiqin me automjetin e zbukuruar me kafkë, një burim serb tha se automjeti nuk ishte i tij, dhe se “makina të tilla gjendeshin kudo në zonën e luftës”.

    Pretendimet se të huaj të pasur udhëtonin në Sarajevë për “safari snajperësh” janë mbështetur edhe nga një ish-diplomat italian.
    Michele Giffoni, ish-zëvendëskryetar i misionit diplomatik në Sarajevë, tha se sapo kishte mbërritur në qytet në vitin 1994, i ishte thënë:
    “E dini, po organizohen safari. Po vijnë shumë njerëz të pasur – disa janë gjahtarë, të tjerë biznesmenë. Ushtria dhe paramilitarët i çojnë në kodra dhe për këtë ata paguajnë.”
    Sipas tij, agjencia italiane e inteligjencës SISMI, në bashkëpunim me inteligjencën boshnjake, arriti të ndalonte hyrjen e italianëve të tillë. “Agjencia identifikoi organizatorët dhe e mbylli këtë veprimtari,” tha ai.

    Megjithatë, autoritetet italiane nuk arritën të identifikonin asnjë shtetas të tyre që mund të kishte marrë pjesë në vrasjet e civilëve. “Po të kishim pasur një emër, do t’i kishim ndjekur penalisht,” tha Giffoni.

    Ekspertë të Ballkanit i thanë The Telegraph se akuzat mund të jenë të vërteta, por duhen trajtuar me kujdes.
    Dr. Helena Ivanov, nga think-tank-u Henry Jackson Society, tha:
    “Shumë gjëra të tmerrshme ndodhën gjatë luftës, por pati edhe histori të frikshme që rezultuan të pavërteta – pretendime se ekstremistë myslimanë hodhën foshnja serbe te luanët në një kopsht zoologjik, apo se luftëtarë nga të tri palët bënin varëse nga gishtat e foshnjave. Historitë e rreme mund të qëndrojnë për një kohë të gjatë. Sa herë që ka një pretendim shpërthyes, si ai për safari snajperësh, ai duhet t’i nënshtrohet një hetimi të plotë dhe transparent. Nëse ka akuza të besueshme, atëherë ato duhet të hetohen.”

    Videoja që duket se e tregon Vuçiqin me automjetin me kafkë është publikuar nga Prof. Jasmin Mujanoviq, ekspert i Ballkanit dhe autor.
    Ai tha se ka “prova në rritje… përfshirë dëshmi nga Gjykata e Hagës, për ekzistencën e ‘safarive njerëzore’ të kryera nga forcat nacionaliste serbe për llogari të turistëve të pasur të huaj.”
    Sipas tij, provat duhet të çojnë në hetime “në katër ose pesë shtete të ndryshme”.

    Prof. Mujanoviq tha se akuzat janë “të besueshme”, por paralajmëroi:
    “Duhet të kërkojmë që pretendimet e jashtëzakonshme të kenë prova të jashtëzakonshme.
    Ato meritojnë të shqyrtohen më tej nga agjencitë italiane dhe ndërkombëtare të policisë.
    Njeriu madje shpreson që ato të rezultojnë vetëm legjenda urbane, duke pasur parasysh tmerrin që nënkuptojnë. Por nëse janë të vërteta, atëherë duhet ngritur akuza të forta kundër të gjithë atyre që janë përfshirë.”/telegraph.co.uk