Rritja e Kosovës është konfirmuar edhe në ranglistën e re të FIFA-s të publikuar të mërkurën. Kosova me renditjen e re të FIFA-s tani zë pozitën e 80-të, katër pozita më lartë se që ishte në renditjen e publikuar më 17 tetor.
Vendi i 84-t ishte historik në muajin e kaluar. Tjetër histori në renditje në renditjen e FIFA-s është shkruar të mërkurën dhe kjo është arritur pas suksesit historik nga Kosova. Në ndeshjet e fundit të muajit nëntor, Kosova fitoi në udhëtim te Sllovenia me rezultatin 2:0 në stadiumin “Stozhice” në Lubjanë më 15 nëntor, kurse më 18 nëntor, barazoi 1:1 me Zvicrën.
Kosova Grupin B kualifikues të Botërorit 2026 në Kanada, Meksikë dhe SHBA e mbylli në pozitën e dytë me 11 pikë, duke lënë prapa Slloveninë me katër pikë dhe Suedinë me dy pikë. Zvicra e fitoi grupin me 14 pikë.

Shqipëria ka rënë për dy pozita në këtë muaj në ranglistën e re të shtëpisë botërore të futbollit. Ishte në pozitën e 61-të në muajin e kaluar, ndërsa tani zë vendin e 63-të. Shqipëria e pati një fitore 1:0 në udhëtim tek Andorra më 13 nëntor, ndërsa më 16 nëntor në “Air Albania” në Tiranë, u mposht 2:0 nga Anglia.

Si Kosova ashtu edhe Shqipëria kanë avancuar në plejofin e Botërorit 2026 dhe është sukses historik, pasi më parë nuk është arritur një arritje e tillë.
Të enjten, Kosova dhe Shqipëria, që janë në vazon e tretë, do të mësojnë kundërshtarët e plejofit të Botërorit të vitit të ardhshëm.
Ndeshjet gjysmëfinale të plejofit luhen më 26 mars, ndërsa finalet luhen më 31 mars. Listës së përfaqësueseve më të mira të FIFA-s vazhdon t’i prijë Spanja. Pas Spanjës janë Argjentina, Franca, Anglia dhe Brazili, që e plotësojnë pesëshen më të mirën.
Portugalia, Holanda, Belgjika, Gjermani dhe Kroacia, kompletojnë 10 përfaqësueset më mira me renditjen e muajit nëntor.

