Kosovë Lajme

Rama dorëzon në Kushtetuese “kërkesë urgjente” për buxhetin e Prishtinës

    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese kërkesë urgjente për siç ka thënë bllokimin arbitrar të buxhetit të kryeqytetit nga Ministria e Financave.

    “Ky veprim i paprecedentë ka vënë në rrezik funksionimin e shërbimeve bazë për qytetarët e Prishtinës nga pastërtia, siguria sociale, mirëmbajtja e infrastrukturës, e deri te pagesat për punëtorët dhe kontraktuesit. Kjo është goditje politike ndaj Kryeqytetit dhe ndaj vetë qytetarëve, të cilën nuk mund ta tolerojmë. Prandaj jemi drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të mbrojtur, ligjin, pavarësinë institucionale të komunave, të drejtat e qytetarëve tanë dhe vetë funksionimin e Kryeqytetit”, ka shkruar Rama në Facebook.

    Rama ka thënë tutje se “në një kohë kur Prishtinës i duhen zgjidhje, jo pengesa, presim vendimmarrje të shpejtë e të drejtë që t’i hapë rrugë zbatimit të ligjit dhe rikthimit të stabilitetit financiar”.

    Kryetari i kryeqytetit e ka akuzuar në vazhdimësi Ministrinë e Financave dhe ministrin në detyrë, Hekuran Murati, për çështjen e buxhetit të vitit 2025. E Murati ka thënë se faji është te pushteti komunal që e ka vonuar miratimin në Asamble dhe i partive opozitare që më pas nuk po e përkrahin formimin e komisioneve parlamentare për të kaluar tutje këtë çështje në Kuvendin e Kosovës.