Kryetari i Komunës së Strugës, Mendi Qyra, sapo e mori detyrën, deklaroi se prej sot do të nisë procedurat për ta shitur veturën zyrtare Audi A6, e cila ishte blerë gjatë mandatit të ish-kryetarit Ramiz Merko dhe që më pas u bë objekt i një skandali publik dhe hetimi gjyqësor.
Veturën luksoze, Komuna e Strugës e kishte blerë me mjete publike gjatë mandatit të Merkos, në periudhë kur Komuna përballej me borxhe të mëdha, gjë që ngjalli reagime për shkak të çmimit të lartë dhe dyshimeve për keqpërdorim të fondeve komunale.
Qyra ka deklaruar se qëllimi i shitjes është “kursimi i buxhetit dhe dhënia e shembullit të përgjegjësisë në menaxhimin e mjeteve publike”.
Qyra tha se ai nuk do të shfrytëzojë veturë zyrtare, por do e përdor veturën e tij personale.
Vendimi pritet të formalizohet në ditët në vijim, ndërsa vetura mbetet një simbol i debatit për shpenzimet luksoze në pushtetin lokal të mëparshëm në Strugë.

