Lajme Maqedoni

Bekim Qoku: Vetëvendosje nuk është vetëm subjekt, por emancipim politik

    Koordinatori i grupit parlamentar të VLEN-it dhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje në Maqedoninë e Veriut, Bekim Qoku, ka reaguar pas suksesit të VV-së në zgjedhjet lokale në Kosovë, ku numri i komunave të fituara është rritur nga katër në shtatë.

    Në një status të publikuar në rrjetet sociale, Qoku ka theksuar se Lëvizja Vetëvendosje nuk duhet parë vetëm si një subjekt politik, por si një proces më i gjerë emancipimi politik që po ndodh në hapësirën shqiptare.

    “Suksesi i Vetëvendosjes është më shumë se rritje numerike e komunave, është shenjë e pjekurisë politike të qytetarëve që besojnë në ndryshim dhe në politikë me dinjitet”, ka shkruar Qoku, duke e konsideruar këtë fitore si dëshmi të qëndrueshmërisë së vizionit të Vetëvendosjes në qeverisje.

    Ai ka shtuar se ky zhvillim është frymëzim edhe për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, ku sipas tij, po ndërtohet një platformë e re politike që mbështetet në vlera, drejtësi dhe përgjegjësi shoqërore./press7.tv