Kosovë Lajme

LDK-ja s’e pranoi dorëheqjen e Gashit, ky i fundit e tërheq

    Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku thotë se ka refuzuar dorëheqjen e Xhafer Gashit pas rezultatit zgjedhor në Obiliq. Abdixhiku shkroi në një postim në Facebook se e ka rikonfirmuar Xhafer Gashin në pozitat e tij brenda LDK-së sepse sipas Abdixhikut, LDK-ja nuk i braktisë njerëzit e saj në momente të vështira.

    “Xhaferi është një prej njerëzve që nuk dorëzohet para vështirësive. Ai është njeri i fjalës, i punës dhe i përkushtimit të heshtur ndaj qytetarëve të tij. Në këto vite, ai i ka dhënë Obiliqit drejtim, dinjitet dhe stabilitet; në një komunë që ka parë shumë sfida. Sot, më shumë se kurrë, Lidhja Demokratike e Kosovës ka nevojë për njerëz të tillë, me karakter, me vizion dhe me besim në vlera. Prandaj, e kam rikonfirmuar Xhafer Gashin në pozitat e tij brenda LDK-së, si në Degë të Obiliqit, ashtue dhe në Kryesi e Këshill të Përgjithshëm. Sepse LDK nuk i braktis njerëzit e saj në një moment të vështirë; përkundrazi, LDK di të trajtojë edhe fitoren edhe humbjen me plot dinjitet”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.

    Abdixhiku tutje shkroi se “LDK qëndron. Dhe bashkë me të, qëndron edhe Xhafer Gashi, në të gjitha sfidat përpara; si simbol i qëndrueshmërisë, i besnikërisë dhe i misionit tonë të përbashkët”.

    https://www.facebook.com/abdixhiku/posts/10162500109602759?ref=embed_post

    Se nuk u pranua dorëheqja e tij, njoftoi edhe vet Xhafer Gashi në faqen e tij në Facebook. Ai shkroi se pasi ofroi dorëheqjen u mblodh Kryesia e Degës dhe e refuzoi dorëheqjen e tij.

    “Pas deklarimit tim publik për dorëheqje nga pozita e Kryetarit të Degës së LDK-së në Obiliq, me kërkesë të Kryesisë së Degës u mbajt mbledhja e radhës, ku u diskutua lidhur me këtë çështje. Ju njoftoj se Kryesia e Degës së LDK-së në Obiliq nuk e ka pranuar dorëheqjen time nga pozita e Kryetarit të Degës, duke shprehur njëzëri besimin dhe vlerësimin për punën dhe angazhimin tim ndër vite. I falënderoj nga zemra secilin anëtar të Kryesisë për mbështetjen, respektin dhe besimin e treguar. Unë do të vazhdoj t’i qëndroj besnik misionit tonë të përbashkët. Rrugëtimi ynë vazhdon, me unitet, dinjitet dhe përkushtim”, shkroi Gashi.

    https://www.facebook.com/xhafer.gashi.138743/posts/122251612124037241?ref=embed_post

    Kandidati i LDK-së për Obiliqin, Xhafer Gashi, dha dorëheqje nga të gjitha funksionet në këtë parti pas humbjes në zgjedhjet lokale. Ai u mposht në balotazh nga Halil Thaçi i Lëvizjes Vetëvendosje.

    Këtë e bëri të ditur menjëherë pas publikimit të rezultateve nga KQZ-ja të dielën mbrëma.

    Gashi ishte kryetar i Obiliqit për 12 vjet.