Kosovë Lajme

Albin Kurti: Kosova zhvillon prodhimin e dronëve luftarakë “Made in Gjilan”

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar sot në Gjilan kompanitë që po merren me prodhimin e dronëve ushtarakë dhe civilë, duke theksuar se e ardhmja e industrisë së mbrojtjes po ndërtohet edhe në vendin tonë.

    Së bashku me kryetarin e komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, Kurti vizitoi kompanitë që prodhojnë dronët ushtarakë “Skifteri” dhe ato që merren me dronë civilë nga “Future Minds Academy” dhe MIGA SkyShield MAR.

    Sipas kryeministrit, Kosova po shndërrohet në vend prodhues, me produkte që tashmë mbajnë shenjën “Made in Gjilan” dhe “Made in Kosova”.

    Droni kamikaz “K1” arrin shpejtësi deri në 180 km/h dhe mund të fluturojë deri në 2500 metra lartësi, ndërsa “Skifteri” ka kapacitet për të arritur 5000 metra lartësi, me hapësirë operuese prej 20 kilometrash dhe shpejtësi prej 270 km/h.

    Kurti kujtoi se Kosova ka investuar edhe në blerjen e dronëve nga shtetet partnere, si Bayraktar TB-2, Puma dhe së fundmi Skydagger, por tani po hyn në një fazë të re – prodhimin e vetë dronëve luftarakë.

    “Si qeveri, në nivel qendror dhe lokal, do ta mbështesim ngritjen e kapaciteteve dhe prodhimtarisë, dhe nuk do t’i ndalim investimet në mbrojtje e siguri,” deklaroi kryeministri Kurti./press7.tv